Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e kanë ndërmend që të ndjekin nga pas Lëvizjen Vetëvendosje, sidomos në rrugë. Partia e Isa Mustafës dhe ajo e Ramush Haradinajt nuk do ta mbështesin lëvizjen e Albin Kurtit për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, edhe nëse Qeveria nuk e implementon mocionin e kaluar ditë më parë në Kuvend. Ndonëse ditë më parë, pikërisht falë votave të këtyre dy partive,Vetëvendosje kishte kaluar mocionin për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, megjithatë përfaqësues të LDK-së e të AAK-së thonë se do të kërkojnë rrugën institucionale për implementimin e këtij mocioni. Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, ka thënë se ky mocion e ka pasur gjithë mbështetjen e opozitës në Kuvendin e Kosovës e që, sipas saj, ka qenë një mocion që ka treguar se kur opozita vërtet vepron e bashkuar edhe mund t’i arrijë qëllimet e veta.Rruga institucionale, e vetmja zgjidhje "Ne e kemi parë që Lëvizja Vetëvendosje e ka një qëndrim që, natyrisht, është në përputhje me vetë programin e tyre politik, kështu që nuk kam nevojë ta komentoj.
Por, ju e dini që LDK është parti institucionale, parti që me dekada ka luftuar që Kosova t’i ketë institucionet e veta. Do ta mbajë këtë vij institucionale, që nënkupton që çdo politikë, çdo qëllim që kemi ne do të provojmë ta arrijmë vetëm përmes rrugëve institucionale, në këtë rast përmes Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Osmani.
"Është një fatkeqësi që Qeveria edhe kësaj radhe po e injoron tërësisht rolin e Kuvendit. Në veçanti kur ky rol përmes mocioneve, rekomandimeve është paraparë edhe me Kushtetutë dhe si të tilla këto rekomandime janë të obligueshme edhe në aspektin kushtetues dhe ligjor për qeverinë për t’i impelmentuar”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se nga deklaratat e qeveritarëve që i ka parë "ata nuk kanë ndonjë vullnet për t’i zbatuar këto rekomandime”. Sipas saj, rekomandimet e Kuvendit janë në interes të qytetarëve në Kosovë dhe interesave nacionale të vendit.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i AAK-së Burim Ramadani ka thënë se AAK do t’i ndjekë format ligjore nëpërmes institucioneve për zbatimin e mocionit të Kuvendit.
"Forma e rrugës është e papranueshme për AAK-në. Tekefundit, mocioni për vendosjen e masave të reciprocitetit nuk parasheh bllokimin e rrugëve për t’i ndalur mallrat prej Serbisë. Mocioni parasheh vetëm masat e reciprocitetit”, ka thënë shkurt Ramadani.
Rruga s’është zgjidhje
Analisti politik Behxhet Shala ka thënë se mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka paraparë që nëse nuk zbatohen masat e reciprocitetit ndaj Serbisë të dilet në rrugë. Prandaj, sipas tij, kjo kërkesë e Vetëvendosjes ka ardhur pas votimit të mocionit nga LDK-ja dhe AAK-ja. Ai është i bindur se po ta dinin një gjë të tillë këto dy parti, me gjasë nuk do ta mbështetnin as në Kuvend.
Ai është shprehur kundër këtij qëndrimi të Vetëvendosjes. "Me bllokada të rrugëve nuk është zgjidhje”, kështu ai e ka komentuar paralajmërimin e Vetëvendosjes që nëse nuk zbatohet mocioni i kaluar në Kuvend nga Qeveria, ata do t’i bllokojnë pikat kufitare me Serbinë. Sipas tij, zgjidhja më e mirë do të ishte sikur konsumatorët të vetëdijesoheshin dhe të mos i përdornin produktet e Serbisë.
Sipas Shalës, një nga arsyet pse mund të vijë deri të moszbatimi i këtij mocioni nga ana e Qeverisë ndërlidhet me faktin se Kuvendi kohë më parë i ka dhënë mandatin ekzekutivit që t’i fillojë negociatat me Serbinë.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës se nëse deri në janar nuk e implementon mocionin e miratuar ditë më parë në Kuvend, atëherë pikat kufitare me Serbinë, përjashtuar ato në veri, do t’i bllokojë tërësisht.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus