Fjalimi i presidentes, Atifete Jahjaga në Kuvendin e Kosovës, për fundvit, është bojkotuar sot nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky subjekt opozitar e ka vlerësuar se presidentja është pjesë e një marrëveshjeje dhe ajo duhet të respektojë atë për të hapur rrugë për reformën zgjedhore dhe kushtetuese. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur një fjalim të thatë atë të presidentes dhe konsideron që ajo nuk po e luan rolin mirë si presidente e vendit. Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK-ja është pjesë e një marrëveshjeje që ka dalë edhe si rezolutë e miratuar në Kuvend të Kosovës, me të cilën rezolutë apo marrëveshje parashihet reforma zgjedhore dhe kushtetuese.
Gjithashtu, ai ka thënë se me këtë parashihet që presidentja Jahjaga duhet të reflektojë në kohën e duhur, që do të thotë të tërhiqet, gjegjësisht të japë dorëheqje.
Beqiri ka thënë se injorimi i Jahjagës që nuk e respekton këtë marrëveshje, sipas tij, LDK ja ka bërë të qartë që nuk përfaqëson unitetin e qytetarëve të Kosovës dhe për këtë është bojkotuar nga LDK-ja.
"Dhe së paku reflektimi i saj do të ishte, po të thoshte që në të ardhmen, me kohë kur të bëhen reformat ‘unë do të jem pjesë e zbatimit të marrëveshjes, sepse jam edhe rezultat i marrëveshjes’. Kjo nuk do të kishte asnjë arsye që ne të mos besojmë që ajo në kohën e duhur edhe do të tërhiqet. Pikërisht me këto arsye që ne e kemi parë se nuk e ka vullnetin, nuk e kemi parë të arsyeshme që të jemi në seancë dhe ta dëgjojmë fjalën e presidentes Jahjaga. Ne do të jemi jashtë të gjitha trupave që veprojnë nën patronatin dhe organizimin e presidentes”, ka theksuar Beqiri.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje në një komunikatë për media ka vlerësuar se fjalimi i presidentes ka qenë një fjalim i thatë.
Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se presidentja e vendit ka mundur të luaj rolin më mirë dhe të mos anoj ndaj subjekteve.
"Në disa raste të tjera ka treguar një anim të theksuar ndaj subjekteve apo kur ka qenë rasti i përbërjes së të drejtave të qytetarëve dhe të drejtave të njeriut, në reagimin e institucioneve të sigurisë. Mendojmë që ka qenë shumë pak kritike për të mos thënë aspak, ndaj shumë problemeve të Kosovës për të cilat pa dyshim, përgjegjëse ka qenë Qeveria e Kosovës. Në këto pika do ta vlerësoja në mënyrë kritike rolin e presidentes e cila në disa raste nuk ka qenë në krye të detyrës”, ka thënë Konjufca.
Por ndryshe e vlerëson Grupi Parlamentar i PDK-së. Kryetari i këtij grupi, Adem Grabovci ka vlerësuar punën pozitive të presidentes, duke kontribuar imazhit pozitiv të Kosovës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus