Kryesore » 2012 » Qershor » 27 » Kuvendi, strehë e “turistëve”
12:26 PM
Kuvendi, strehë e “turistëve”
Si asnjë legjislaturë e gjertanishme, kjo nomenklaturë e Kuvendit të Kosovës po tregon se është e mbushur me deputetë turistë dhe të papërgjegjshëm, ku energjitë e shumicës prej tyre janë të përqendruara në përfitime personale. Jo rrallë herë, rrjedhat e seancave plenare janë "përmbysur” pikërisht për mungesë të kuorumit nga deputetët, të cilët më shumë qëndrojnë në hollin e Kuvendit duke tymosur ndonjë cigare, pirë kafe, e bërë llafe e muhabete me dostat e tyre, se sa që marrin pjesë nëpër debate gjatë shqyrtimit të ligjeve, për çka edhe janë të thirrur. Kjo formë e veprimit të parlamentarëve, që shpeshherë është e mbushur me skena tragjike-komike, s’mund të kuptohet ndryshe vetëm se kjo nomenklaturë e ka shndërruar Kuvendin në një institucion pa dinjitet, pa integritet dhe pa pushtet. Të paktën ky është vlerësimi i analistit të Institutit Demokratik të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili vazhdimisht përcjell punimet e Legjislativit. Ai ka thënë se kjo legjislaturë e IV-të është mbushur me deputetë joseriozë dhe të papërgjegjshëm karshi zgjedhësve të tyre dhe se Kuvendin po e shndërrojnë në një institucion pa integritetet, pa fuqi vendimmarrëse që dita-ditës po i humb atributet e një institucioni përfaqësues.

"Mungesa e vazhdueshme nëpër seanca, ndonëse ka edhe të atillë që vijnë, por shumicën e kohës e kalojnë jashtë sallës së Kuvendit (nëpër bufe), tregon për papërgjegjësinë dhe injorancën që deputetët ia bëjnë elektoratit. Në shumicën e rasteve, pjesëmarrja e deputetëve në seanca nuk kalon numrin 70, andaj shtrohet pyetja ku janë edhe 50 deputetë të tjerë nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës?”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, instalimi i një mendësie të tillë është mjaft shqetësuese, pasi që siç ka theksuar ai, këta deputetë pozitën e tyre më shumë e shohin si një privilegj për përftime personale, sesa si një mundësi të mirë për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve.

Analisti nga KDI, me këtë rast ka përmendur "luftën” e madhe që është bërë pikërisht nga këta deputetë të dalë nga zgjedhjet e kontestuara, vetëm e vetëm për t’u ulur në karrigen e deputetit. Madje, Selmanaj ka përmendur edhe një fakt tjetër shqetësues, ku ligjvënësit kosovarë shpeshherë kanë dëshmuar se votojnë projektligje e amendamente jashtë vullnetit të tyre, duke u diktuar nga lidershipi i partisë së tyre, apo edhe pa ditur as për çfarë votojnë.

E nga ana e tij, deputeti që vjen nga partia në pushtet, Behar Selimi, konsideron se "ligjvënësit vendin kryesor të punës e kanë në Kuvend, prandaj edhe duhet të jenë aty. Kuptohet se ka deputetë që kanë edhe angazhime të tjera, porse një gjë duhet kuptuar se puna e deputetit është para së gjithash, dhe mbi të gjitha”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, u ka sugjeruar partive në pushtet që të kujdesen më shumë për krijimin e kuorumeve gjatë seancave plenare, edhe pse sipas saj, kjo nuk i heq nga përgjegjësia asnjë nga deputetët. Ajo ka shfaqur mendimin se Kryesia e Kuvendit duhet të fillojë të mendojë për ndërmarrjen e masave edhe sanksionuese ndaj atyre deputetëve që nuk marrin pjesë gjatë seancave plenare.


Edhe deputeti opozitar, Burim Ramadani nga AAK-ja, në mënyrë të hapur ka thënë se ka shumë deputetë që nuk e meritojnë të ulen në ulësen e Kuvendit, pasi siç ka deklaruar ai, nuk e kuptojnë as rolin e tyre.

"Shpeshherë ka ndodhur që seanca të ndërpritet pikërisht për mungesë të kuorumit dhe kjo flet për papërgjegjësinë e deputetëve, të cilët nuk e kryejnë punën e tyre për çka edhe janë të thirrur, por merren me çështje të tjera. Mirëpo, besoj se qytetarët do të jenë ata që më votat e tyre do t’i ndëshkojnë këta deputetë të padisiplinuar”, është shprehur Ramadani.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus