Kryesore » 2012 » Gusht » 26 » Kuvendi “out” bisedimeve
1:24 PM
Kuvendi “out” bisedimeve
Deputetët kosovarë edhe në sesion e ri të punës së Kuvendit do të mund të mbesin "spektatorë”. Fillimi i bisedimeve politike me Serbinë, do t’i qesë ata automatikisht nga "loja”, njëjtë sikurse kishte ndodhur me bisedimet e kaluara. Kështu të paktën thonë analistët politikë, sipas të cilëve, Kuvendi nuk po arrin në asnjë formë që ta kontrollojë dhe mbikëqyrë punën e qeverisë. Legjislativi kosovar ka dështuar sidomos në detyrimin e qeverisë që të raportojë për bisedimet që po i zhvillonte në Bruksel. 
Asnjë nga marrëveshjet e arritura në bisedimet e ashtuquajtura teknike me Serbinë, ku Kosova përfaqësohej nga Edita Tahiri, nuk janë sjellë për miratim në Kuvend. Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, thotë se qeveritarët janë të vetëdijshëm se shumica e partive politike në Kosovë, nuk pajtohen që me Serbinë të ketë bisedime politike, prandaj, do të përdorin "mjeshtëri” për t’i ikur Kuvendit. 

Ai kujton se si vitin e kaluar deputetët shumicë në Kuvend të Kosovës, ia kishin dhënë "vizën” qeverisë për të hyrë në bisedime, por gjithashtu ishte kërkuar që marrëveshjet që dalin nga bisedimet të miratohen në Kuvend. Kjo siç thotë ai, nuk ka ndodhur, ndërsa qeveria i ka ikur përgjegjësisë duke pretenduar se me palën serbe nuk ka arritur marrëveshje ndërkombëtare por konkluzione.

"Tash çfarë do të ndodhë me negociata të reja me Serbinë, ato së pari do të konsiderohen si vazhdimësi e negociatave, jo si negociata të reja dhe nuk do të kërkohet mendimi i Kuvendit. Edhe çka do të ndodhë është se Qeveria e Kosovës për këtë qëllim po provon ta rrisë koalicionin, ta forcojë atë, me qëllim që të ketë kredibilitet më të madh në negociata duke e anashkaluar Kuvendin”, thotë ai.

Deputetët e opozitës dorëzohen

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se pavarësisht nga temat që do të trajtohen gjatë bisedimeve politike me Serbinë, legjislativi nuk do të ketë asnjë rol në këtë proces, nuk do të pyetet dhe nuk do të kërkohet leje nga ai.

"Shenjat e para po tregojnë se do të vazhdojë avazi i vjetër. Ju e mbani në mend në fillim të marsit të vitit të kaluar kur Edita Tahiri kishte vendosur që të shkojë në Bruksel, kurse ne po atë ditë debatonim në Kuvend nëse do të fillojnë negociatat me Serbinë apo jo. Do të thotë vetë shkuarja e Edita Tahirit atje pati paraqitur një shkelje të rendit kushtetues edhe institucional në Kosovë, sepse dihet roli qendror i Kuvendit në këto punë”, thotë ai.

Konjufca thekson se gjatë pjesëmarrjes në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Prishtina zyrtare do shkojë në negociata me Serbinë, gjë që sipas tij, tregon se Qeveria do ta shkelë Kuvendin, përkatësisht nuk do ta pyesë fare se si të veprohet.

Gazeta të shtunën ka bërë përpjeke që të marrë një qëndrim zyrtar nga Qeveria e Kosovës, nëse ekzekutivi do të kërkojë "leje” ose jo nga Kuvendi për bisedime me Serbinë, por kontakti me qeveritarët ka qenë i pamundur.

Megjithatë, kryeministri Thaçi gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë ka mohuar se do të ketë koalicion të ri me ndonjë subjekt tjetër politik, ndërsa ka theksuar se Kosova ka nevojë që para nisjes së bisedimeve politike të ketë unitet në spektrin politik.

Selimi: Kuvendi po e kontrollon qeverinë

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, mendon se Kuvendi do të anashkalohet në tërësi, ndërsa qeveria do t’i zhvillojë bisedimet krye në vete.

"Kuvendi është i vetmi organ kushtetues i cili mund të lejojë në radhë të parë, mund të mandatojë dhe mund të kërkojë që në rrethana të caktuara të bisedohet, të flitet, në negociohet dhe të përfaqësohet vendi”, thotë Haziri.

Ai thekson se nëse merret parasysh "modeli” se si është anashkaluar Kuvendi në procesin e bisedimeve teknike, atëherë nënkuptohet se edhe e ardhmja nuk do të jetë më e mirë.

"Kuvendi edhe kur nuk është i anashkaluar, është i dirigjuar. Seanca e fundit e sesionit pranveror (mungesa e kuorumit nga mosprania e deputetëve të shumicës në seancë) tregon qartë se Kuvendi i Kosovës nuk e ka funksionin e vet kushtetues, sepse rrallë ndodh që shumica politike e përcaktuar me numra ta lëshojë dhe ta mbyllë seancën në mënyrën e tillë”, nënvizon ai.

Por, krejtësisht ndryshe nga anëtarët e partive opozitare mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimi.

"Sa i përket kontrollit politik të qeverisë, mendoj se legjislativi ka qenë i suksesshëm, sepse, kontrolli politik nënkupton debate, kritika, sugjerime, rekomandime, rezoluta. Por sa i përket mbikëqyrjes së agjencive, të institucioneve brenda ekzekutivit, mendoj se kemi ngecur, por pres që të finalizohet mbikëqyrja edhe në këtë aspekt”, thotë Selimi, duke u pajtuar se secila marrëveshje e karakterit ndërkombëtar duhet të miratohet në Kuvend.

Por Agron Demi nga Instituti GAP, thekson se do të jetë shumë e dëmshme për vendin nëse Qeveria do ta anashkalojë përsëri Kuvendin, ngase një gjë e tillë, siç thotë ai, do ta rrezikonte tërësisht sistemin kushtetues të vendit.

"Dihet fare mirë që para shpalljes së pavarësisë, Kosova ka bërë lëshime qoftë për decentralizim, qoftë për status special të kishave anembanë Kosovës, vetëm e vetëm që ta ruajë tërësinë territoriale të vendit. Tash kur janë bërë të gjitha këto lëshime, prapëseprapë po hyhet në negociata me Serbinë për veriun, që do të thotë se të gjitha ato lëshime që i kemi bërë kanë shkuar huq, sepse tash do të bëhen koncesione të reja ndaj Serbisë”, thekson ai.

Vështirë të realizohet agjenda legjislative

Përveç "pjesëmarrjes” në procesin e bisedimeve sfidë tjetër për ligjvënësit kosovarë do të jetë miratimi i ligjeve dhe dokumenteve të tjera.

Sipas Strategjisë legjislative të Qeverisë së Kosovës për vitin 2012, deri në muajin korrik të këtij viti do të duhej që në Kuvend të procedohen pesëdhjetë e dy ligje. Ndërkaq, sipas statistikave të Kuvendit të Kosovës, ekzekutivi kosovar i ka proceduar vetëm njëzet të tilla.

Ndërkaq, deputetët kosovarë nuk kanë qenë në gjendje që t’i miratojnë as ato pak ligje që i ka dërguar ekzekutivi, duke iu thënë "po” vetëm katër prej tyre, ndërsa, pjesën më të madhe të kohës ata janë marrë me ligjet e trashëguara nga agjenda e kaluar legjislative, duke i miratuar njëzetë e tetë ligje.

Deputeti i Vetëvendosjes, Konjufca, thotë se ligjvënësit duhet të jenë më punëtorë, dhe se komisionet duhet të punojnë sa më shumë, në mënyrë që të zbutet vrulli i madh i ligjeve që presin për miratim.

Ndërsa kolegu i tij nga LDK-ja, Haziri, thekson se fajin për dështimin në agjendën e legjislativit e kanë qeveritarët, të cilët sipas tij, shumë ligje i fusin në agjendë, ndërkaq, më vonë dështojnë t’i sjellin ato në Kuvend me kohë.

E për deputetin e PDK-së, Behar Selimi, sesioni pranveror mund të konsiderohet si i suksesshëm ngase siç thotë ai, iu ka përgjigjur kërkesave të kohës, njëra nga të cilat, sipas tij, ka qenë amendamentimi i ligjeve që kanë të bëjnë me heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus