Kushtrim Rushiti shqiptari 12 vjeçar nga Bergisch Gladbach i Gjermanisë, ka ndarë vendin e parë bashkë me një moshatare të tij (Anna Becker) në garat federale të nxënësve të Gjermanisë për zgjedhjen e lexuesit më të mirë të veprave letrare. Është kjo garë tradicionale që e organizojnë për çdo vit libraritë gjermane.Kushtrimi ka fituar në një konkurrencë prej 640 mijë nxënësve gjermanë që kanë marrë pjesë në këtë konkurs, shkruan gazeta gjermane "Kölner Stadtanzeiger", e transmeton albinfo. "Ai erdhi, lexoi dhe fitoi", e fillon kështu shkrimin për shqiptarin e vogël gazeta e përmendur. Ai është nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore në Kleefeld. Në shtëpi me prindërit Kushtrimi flet shqip. Në vitin 1998 familja e tij kishte ardhur nga Kosova në Gjermani. Për të kuptuar përse Kushtrimi ka lënë mbrapa qindra mijë pjesëmarrës tjerë të garës, ju duhet ta dëgjoni atë vetëm disa sekonda duke lexuar. Në të ardhmen ai mund ta shohë veten në disa profesione, si atë të gazetarisë, folësit në televizion ose përkthyesit të filmave. Kur e përmend profesionin e përkthyesit të filmave ai mendon për sinkronizuesin me zë të filmave. Por, thotë ai, mund të ndodhë të bëhem edhe shkrimtar.Një djalë nga Kosova i lë mbrapa të gjithë konkurrentët e tij pikërisht në elementin në të cilin fëmijët me prejardhje të huaj kritikohen më së shpeshti: në gjuhën gjermane. Ai fiton madje jo për shkak të gramatikës dhe drejtshkrimit por për shkakun se e kupton mesazhin e fjalëve dhe e transmeton atë me racionalitet dhe me shpirt. Gazeta dhe organizatori ia shkruajnë mbiemrin Rusitovic, dhe kjo mund të shpjegohet edhe me faktin se ka gjasa që prejardhja e familjes Rushiti të jetë nga Medvegja. Indeksonline ua sjell edhe videon e një pjese të leximit të Kushtrimit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus