Kryesore » 2011 » Tetor » 7 » Kushtetuesja: Shamitë nuk mund të barten në shkolla
1:30 PM
Kushtetuesja: Shamitë nuk mund të barten në shkolla
Arjeta Halimi ka humbur përfundimisht betejën për të vijuar mësimet në një shkollë publike të Vitisë, pa pranuar që ta heqë shaminë nga koka. Të humbura kanë dalë edhe vajzat e tjera sikur ajo.
Dy vjet e gjysmë Arjeta është endur nëpër gjykata dhe fjalën të enjten e ka dhënë edhe Kushtetuesja. Kësisoj, bartja e shamive në shkolla nuk do të lejohet për aq kohë sa nuk ndërrohet neni 8 i Kushtetutës. Në të thuhet: Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare, raporton Koha.Gjykata Kushtetuese i është referuar këtij neni, kur ka trajtuar një kërkesë të Arjetës, të adresuar në këtë Gjykatë në marsin e sivjetmë. Këtë vit çështja e shamive qe aktualizuar, pasi nuk kaluan në Kuvend amendamente të një ligji që hiqte pengesën për bartjen e tyre. Për pasojë, u bënë shumë protesta. 
Lëvizja "Bashkohu”, një organizatë joqeveritare, nëpërmjet protestave të premteve pas faljes së xhumasë ka kërkuar që shteti të heqë normat që ndalojnë shamitë në shkolla. Protestat qenë mbajtur deri tash në Prishtinë, e strategjia ka ndërruar. Është përhapur nëpër qendrat e Kosovës.

"Bashkohu” ka paralajmëruar nëpërmjet një komunikate se "do të falet namazi i xhumasë në qendër të Pejës, te Hotel Dukagjini, në shenjë proteste kundër ndalimit të bartjes së shamisë në shkollat publike të vendit tonë”.

Shpresat deri tash ishin te Kushtetuesja. Arjeta kishte kërkuar këtu zgjidhjen, pasi kishte konsideruar se i ishin shterur të gjitha mundësitë e tjera ligjore për të realizuar të drejtën e saj të shkollimit.

Ajo është një vajzë tani 19-vjeçe nga fshati Dobresh i Vitisë dhe kishte kërkuar nga Gjykata vlerësimin e kushtetutshmërisë të mospërmbarimit të një aktgjykimi të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit të 17 nëntorit të 2009-s. Me të ishte miratuar një padi e saj ndaj Drejtorisë Komunale për Arsim të Vitisë, me të cilin ishte obliguar Drejtoria t’ia njohë të gjitha të drejtat që burojnë nga statusi i nxënëses së rregullt në gjimnazin "Kuvendi i Lezhës” në Viti.

Para 15 janarit të 2009-s, Arjeta ka vijuar mësimin në këtë shkollë të mesme. Paraprakisht, diku në gjysmëvjetorin e parë të klasës së dhjetë, kishte filluar ta bartte shaminë. Ajo pretendon të jetë njoftuar gojarisht nga drejtoria e shkollës se nuk do të lejohet të vijojë shkollimin, përveç nëse do ta hiqte shaminë. E, sipas saj, që nga refuzimi për ta përfillur këtë që i ishte thënë, i është kërkuar që të mos kthehej më në shkollë.

Kushtetuesja, me anë të aktvendimit të së enjtes, ka gjetur se Arjeta kurrë nuk kishte paraqitur kërkesë për përmbarimin e aktgjykimit te Gjykatës së Qarkut, të datës 17 nëntor 2009. Prandaj, ka konkluduar se ajo nuk i ka shteruar "të gjitha mjetet efektive juridike të përcaktuara me ligj” dhe ka refuzuar kërkesën e saj
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus