Jo gjithçka po funksionon ashtu si duhet brenda kabinetit qeveritar Thaçi 2. Dy nga ministrat e kabinetit qeveritar, që vijnë nga radhët e Koalicionit për Kosovë të Re, Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë, janë "hidhëruar” me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan gazeta Zëri. Derisa ftohja e raporteve të Kusari- Lilës me Thaçin kishte ardhur si pasojë e asaj që kryeministri i kishte marrë për vete meritat për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj mallrave serbe, me Aganin ftohja e raporteve kishte ardhur për shkak se PDK-ja e Thaçit nuk kishte përkrahur në Kuvend kërkesën për futjen e edukatës fetare në shkollat publike të Kosovës. Kështu kanë bërë të ditur burime të mirinformuara të gazetës "Zëri” brenda kabinetit qeveritar. Madje sipas këtyre burimeve, për shkak të këtyre dy çështjeve, edhe koalicioni qeveritar nuk është shumë stabil. "Vendimi për reciprocitetin, i iniciuar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, edhe pse është miratuar nga Qeveria, është kërkuar që të përdoret si meritë e Mimozës, diçka që ka nervozuar Thaçin”, tha ky burim. Sipas këtij burimi, gjatë një takimi të mëhershëm ndërmjet Kusarit dhe Thaçit, ky i fundit i ka bërë me dije asaj që të mos e përdorë vendimin e qeverisë si meritë e një partie apo e një individi.
"Si pasojë e kësaj, raportet mes këtyre dy zyrtarëve të lartë, janë ftohur tej mase”, shtoi ai.
"Ferid Agani, duke e kthyer në çështje personale kërkesën e tij për futjen e fesë dhe lejimit të shamisë në shkolla publike, kërkesë e cila nuk është përkrahur nga shumica e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, përfshirë edhe deputetët e PDK-së, ka nervozuar tej mase atë, me ç’rast ai ka ftohur raportet me kryeministrin Thaçi, duke besuar se është vetë ai që ka rekomanduar deputetë të PDK-së, që të mos e votojnë amendamentin për fe e shamia”, tha ky burim.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus