Nuk është vetëm një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës i përfshirë në hetimet e EULEX-it, që është duke i zhvilluar përkitazi me rastin e ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt. Përveç Bujar Bukoshit, për të cilin ende nuk është saktësuar nëse do të jetë dëshmitar bashkëpunues kundër Tolajt apo i ulur në bankën e të akuzuarve, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në këtë dosje figuron edhe emri i homologut të tij, zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçit, si dhe emri i ish-ministrit të Kulturës, që tashmë mban pozitën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Financave, Astrit Haraqija.Haraqija, që konsiderohet si mik i ngushtë i Ilir Tolajt, i cili ka më shumë se katër muaj që gjendet në paraburgim si i dyshuar për korrupsion, e ka vizituar Tolajn gjatë qëndrimit në burg dhe kjo vizitë duket se do t’i kushtojë shtrenjtë. Së paku burime të gazetës të afërta me rastin theksojnë se Haraqija i cili mban pozitën e zëvendësministrit të Financave e ka vizituar Tolajn në kohën kur ky i fundit po hetohej për "dallaveret” që ai dyshohet se i ka bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave. Kjo vizitë, sipas burimeve të gazetës, është mundësuar pas intervenimit të bërë nga i pari i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
"Tolaj ka më shumë se katër muaj që gjendet në paraburgim. Dhe në kuadër të hetimeve ai ka qenë duke u hetuar edhe për lidhjet dhe parregullsitë që ai ka mundur t’i bëjë bashkë me Ministrinë e Financave dhe mu në atë kohë atë e viziton zv/ ministri Astrit Haraqija. Dyshimet ndërlidhen me atë se Haraqija ka shkuar të shohë se çfarë mund të bëjë në këtë drejtim. E kjo vizitë e Haraqisë është mundësuar pas intervenimit që ka bërë në burgje ministri Hajredin Kuçi”, thotë një zyrtar i afërt me rastin, në kusht anonimiteti.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus