Kryesore » 2011»Tetor»25 » Krimi i organizuar e korrupsioni, sfida për Kosovën
2:00 PM
Krimi i organizuar e korrupsioni, sfida për Kosovën
Në Prishtinë po mbahet konferenca rajonale me temë: "Krimi i organizuar dhe pasuria e paligjshme në Kosovë dhe rajon", e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Transparency International Kosova (TIK). Në të po marrin pjesë përfaqësues të Transparency International nga shtatë shtete dhe deputetë/zyrtarë të këtyre shteteve si dhe zyrtarët më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës. Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, duke përshëndetur të pranishmit, duke mbështetur mbajtjen e një konference me këtë përmbajtje, tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni, si dukuri negative, janë forma agresive, të cilat prekin dhimbshëm shoqërinë në përgjithësi. Siç u shpreh ai, dukuria e krimit të organizuar sot vlerësohet të jetë njëra prej sfidave më të mëdha të shoqërisë njerëzore. Kosova si shtet ri, ka një bazë të konsiderueshme legjislative për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila për çdo ditë është duke u përmbushur me miratimin e ligjeve të reja dhe duke u plotësuar me ndryshimin dhe me përmirësimin e atyre ekzistuese. Me këtë vështrim ai përmendi Kodin Penal të Kosovës, Kodin e Procedurës Penale, Ligjin për Prokurorinë Speciale, Ligjin për Menaxhimin e Integruar dhe Kontrollin e Kufirit Shtetëror, Ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit, Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve, Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar dhe shumë ligje tjera të kësaj natyre. Projektligji për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit të Organizuar, është në Strategjinë Legjislative të Qeverisë dhe pritet të procedohet në Kuvend për miratim. Po ashtu Qeveria e ka iniciuar edhe draftimin e Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Paligjshme.
Përpos ligjeve të miratuara, ose në procedurë, me qëllim të parandalimit dhe të marrjes së masave ndaj dukurive të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, më 2009 ka nxjerrë Strategjinë Shtetërore të Republikës së Kosovës Kundër Krimit të Organizuar dhe Planin e Veprimit për zbatimin e saj, Strategjinë Kundër Korrupsionit, 2009�2011, Strategjinë Shtetërore Kundër Terrorizmit dhe Planin e Veprimit, që përcaktojnë parimet themelore, objektivat, institucionet përgjegjëse dhe mënyrat për arritjen e suksesit në parandalimin dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Institucionet e Kosovës, duke u bazuar në kompleksitetin e këtyre dukurive negative dhe me qëllim të arritjes së një shkalle më të lartë në luftimin e veprimeve kriminale, qofshin ata të organizuara apo jo, kanë nxjerrë një mori të strategjive dhe plane të veprimit, të cilat janë të ndërlidhura mes vete dhe e ndihmojnë njëra-tjetrën në luftimin me sukses të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Por, për të realizuar efektet e pritshme ai theksoi
Për arritjen e një shkalle më të avancuar në aspekt të parandalimit dhe të luftimit të nevojën e koordinimit dhe të bashkëpunimit efikas, në radhë të parë ndërinstitucional, por edhe një bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar, parakushte këto themelore për sukses të mirëfilltë në luftimin dhe për parandalimin e këtyre dukurive.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë një ndër brengat më të mëdha të rajonit dhe si rrjedhojë për luftimin e këtyre dukurive, domosdo duhet të koordinohen veprimet e agjencive për zbatim të ligjit të të gjitha vendeve, në mënyrë që suksesi në këtë drejtim të jetë më i madh, përfundoi kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus