Jakup Krasniqi nuk pajtohet me politikat aktuale ekonomike, fiskale dhe bankare. Thotë se nuk janë të gjitha në shërbim të biznesit dhe duhet ndryshuar. Ai pranoi para bizneseve se këto janë rezultat i infrastrukturës ligjore të hartuar shpejt e shpejt me ndërhyrje nga brenda dhe jashtë. Krejt këtë problem, Kryeparlamentari e gjen te mungesa e strategjisë zhvillimore të Qeverisë.Politikat ekonomike që promovon Kryeministri Hashim Thaçi sa herë që flitet për biznes në Kosovë, kanë marrë vlerësime negative nga Kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Përveç dallimeve në proceset politike, sekretari i PDK’së ka folur ndryshe nga shefi i tij partiak edhe për ekonomi. "Tash jemi më shumë se tri vjet të pavarur, por siç po shihet, politikat ekonomike, fiskale dhe bankare nuk janë të gjitha në shërbim të biznesit”, ka pohuar Krasniqi, të mërkurën në një takim me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit.
Krasniqi vlerësoi si të metë për vendin mungesën e një strategjie të përgjithshme zhvillimore duke përmendur nismën për një strategji zhvillimore të hartuar në qeverinë e parë pas luftës e që ka mbetur në sirtarë.
Vlerësimi i tij është se tash Qeveria nuk ka fare strategji zhvillimore.
"Kemi gabuar që nuk e kemi zhvilluar edhe më tej atë strategji të zhvillimit ekonomik dhe tani kemi mbetur pa të”, tha ai.
Ndryshe nga zyrtarët qeveritarë që thonë se infrastruktura ligjore e krijuar në Kosovë është garanci për zhvillim të afarizmit të suksesshëm, Krasniqi vëren dobësi në ligje të hartuar pas vitit 1999.
Tash, ai mendon se këto ligje dhe politikat fiskale e ekonomike që u vendosën në fillim nga administrata ndërkombëtare, janë bërë pengesë e zhvillimit të qëndrueshëm të biznesit.
Krasniqi, që me profesion është historian, thotë se duke e imponuar ekonominë e tregut si të vetmen zgjidhje në një vend që fare nuk ka ekonomi, është krijuar pabarazi dhe i ka vënë në vështirësi të mëdha bizneset vendëse.
"Ndoshta infrastrukturën ligjore e kemi bërë shpejt e shpejt me ndërhyrje nga brenda dhe nga jashtë”, theksoi Krasniqi.
Ai ka kërkuar nga bizneset që t’i analizojnë ligjet e miratuara në Kuvend dhe t’i identifikojnë problemet në to, në mënyrë që të ndryshohen ato ligje në të mirë të zhvillimit ekonomik.
Kreu i Kuvendit ka kritikuar politikën dhe biznesin se nuk po i respektojnë ligjet dhe përmbajtjen e tyre.
Ndërkaq, kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini kërkoi që Kuvendi të japë një kontribut edhe më të madh në krijimin e një legjislacioni më të mirë dhe sa më unik për zhvillim ekonomik.
Shahini tha se në këtë aspekt ka nevojë të bëhet ende progres, ashtu siç e kërkon edhe Raporti i Progresit.
Përmirësime, sipas tij, duhet të bëhen në fushat që lidhen direkt me përmirësimin e kushteve të bizneset.
"Janë bërë reforma, por ende ka shumë probleme dhe pengesa. Po ashtu edhe infrastruktura fizike ka shënuar progres, por akoma ka ngecje sidomos me energjinë, ku edhe Raporti i Progresit ka reaguar, sepse mungesa e rrymës po u shkakton problem bizneseve në Kosovë”, pohoi Shahini.
Kreu i AKB-së tregoi se bizneset gjatë masave të reciprocitetit që pati vendosur Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, shënuan një rimëkëmbje dhe do të dëshironin që ato masa të vazhdojnë edhe më tutje.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus