Kryesore » 2011 » Maj » 30 » Kosovë: Debatohet reforma e sistemit zgjedhor (+VIDEO)
6:43 PM
Kosovë: Debatohet reforma e sistemit zgjedhor (+VIDEO)
Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë thanë sot se reforma e sistemit zgjedhor në Kosovës është e vetmja rrugë për shmangien e gabimeve që kanë ndodhur në zgjedhjet e deritashme. Këto komente u bënë gjatë një debati lidhur me zgjedhjet dhe mësimet që duhet nxjerrë nga zgjedhjet e fundit parlamentare që u përshkuan me shumë parregullsi. Ish kandidati për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara Howard Dean, aktualisht pjesë e këshillit të drejtorëve të Institutit Kombëtar Demokratik tha se dallimi ndërmjet demokracisë që funksionon dhe demokracisë që dështon, është aftësia e atyre që janë në udhëheqje, për t’i vendosur interesat e shtetit para atyre politikë. Ai tha se kjo organizatë është e gatshme të ndihmojë ndryshimet në sistemin zgjedhor, por jo edhe për të zgjedhur sistemin e duhur.

"Unë nuk jam këtu për t’u treguar njerëzve si të reformojnë sistemin zgjedhor. NDI është këtu për të ndihmuar në sistemin që ju mendoni se është më i mirë. Është e vërtetë që kemi një eksperiencë në tërë botën. Kemi parë disa gjëra në disa shtete që kanë qenë të mira dhe disa gjëra tjera që kane qenë gabim, kështu që ne mund t’ju ndihmojmë në këtë mënyrë, por nuk jemi këtu për të zgjedhur sistemin e duhur”, tha zoti Dean.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kosova aktualisht ka filluar një proces ndryshmesh në sistemin zgjedhor në përpjekje për të shmangur gabimet që kanë ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare.

"Natyrisht ne kemi gaditshmërinë për të bërë amandemantimet e nevojshme në Kushtetutë për të bërë ndryshime në ligjin zgjedhor, në mënyrë që të kemi një reformë zgjedhore që është sa më efikase, më transparente dhe sa më e thjeshtë, në mënyrë që dobësitë që i kemi pasur në zgjedhjet e kaluara mos të përsëriten në të ardhmen. Ky është vullneti politik edhe i Kuvendit si institucion por besoj që ky është vullnet politik edhe i partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme”, tha zoti Krasniqi.

Rrjedha e zgjedhjeve të fundit parlamentare ka nxitur shumë reagime. Rrjeti Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, ENEMO, ka vlerësuar se parregullsitë gjatë tyre e kanë dëmtuar rëndë besimin në proceset demokratike. Kjo organizatë ka vëzhguar zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010, të cilat u stërzgjatën për shkak të parregullsive të shfaqura dhe ka hartuar një raport në të cilin thuhet se shkelja e privatësisë së votës dhe votimi në grup, ishin dukuri dhe jo rast i veçantë, ndërsa konstaton shkelje serioze të procedurave, të cilat nuk janë penguar nga personeli në nëpër qendrat e votimit. Në raport thuhet se këto parregullsi dhe dyshimet për mashtrime, japin një pasqyrë të zymtë të procesit të zgjedhjeve në Kosovë, ndërsa vihet theksi edhe tek rastet e trysnisë dhe frikësimit të vëzhguesve vendas. Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të parat të organizuara në tërësi nga autoritetet vendase.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus