Kryesore » 2011 » Tetor » 3 » Kosova vend atraktiv për investimet e huaja
2:00 AM
Kosova vend atraktiv për investimet e huaja
Konferencë për rritjen e investimeve e ambasadorëve të shteteve ballkanike në KölnAmbasada e Austrisë në Berlin në bashkëpunim me Agjensinë e Biznesit në landin e Rajnës Veriore-Vestfalisë Bridge House Law, pjesë e Business Bridge Germany , organizuan javën e kaluar në Köln për të dytën herë brenda këtij viti konferencën e ambasadorëve të vendeve ballkanike për mundësinë e rritjes së investimeve në Ballkan nga firmat e ndryshme të landit të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë. Kësaj konference i parapriu ajo e München-it që qe mbajtur disa muaj më parë, në maj të këtij viti. Ndryshe nga hera e kaluar ku pjesëmarrës ishin të gjitha shtete e Ballkanit perëndimor, këtë herë në Köln nuk ishte I pranishëm ambasadori i Serbisë, e cila refuzoi të merrte pjesë në të për shkaqe politike. Pas vizitës së paradokohshme të kancelares gjermane dr. Angela Merkel në Beograd dhe kërkesave të saja të prera që Serbia të heq dorë nga politika e saj e destabilizimit të Kosovës përmes strukturave paralele në veri, Serbia po përpiqet të sabotojë iniciativat ku është e përfshirë Gjermania.
Në hapje të kësaj konference Friedrich Schmidl, drejtor i Agjensisë austriake të Biznesit, u bëri thirrje investorëve të këtij landi që të mos i hedhin larg sytë për të vënë në veprim kapitalin e tyre kur kanë një rajon kaq interesant për investime siç është Ballkani perëndimor. Austria, e cila, siç dihet, ka lidhje të ngushta gjeografike dhe historike me këtë pjesë të Ballkanit, ka një prani të dendur në rajon me kapitalin e saj, prandaj nuk ishte aspak e rastit që pikërisht ambasadori austriak në Berlin, dr. Ralf Scheide, ishte ai që ndërmori këtë iniciativë që në fakt përbën një lloj avokatie ekonomike efektive për këto vende në landet e ndryshme gjermane ku ekziston kapital kolosal që do të mund të vihej në lëvizje në drejtim të juglindjes së kontinentit.
Objektivi i kësaj konference ishte tërheqja e firmave të mesme në rajon, sepse firmat e mëdha gjermane tashmë janë të pranishme në ekonomitë e rajonit. Dhe ndoshta pikërisht firmat e mesme janë ato që do të mund të jipnin impulse të fuqishme zhvillimi Ballkanit të rrënuar ekonomikisht pas luftërave që përjetoi ai në fund të shekullit të kaluar.
Bridge House Law po përpiqet që të ndërmjetësojë mes firmave gjermane dhe vendeve ku do të bëhen investimet, sepse duke i njohur mirë rregullat tatimore dhe përcaktimet e tjera ligjore në vendet e Ballkanit, ajo mund të jep pa dyshim një kontribut të çmuar në hapjen e rrugës nëpër të cilën pastaj do të rrjedhë kapitali gjerman në drejtim të këtyre vendeve të Europës juglindore.

Edhe Qeveria gjermane ka jo vetëm një predisponim pozitiv në favor të këtyre investimeve. Për më tepër, siç tha në fjalën e tij në Konferencën e Köln-it Hans Dieter Lukas, drejtor politik në Ministrinë e Jashtme gjermane, Gjermania do të angazhohet që vendet ballkanike të përfshihen sa më shpejtë që të jetë e mundshme brenda BE-së, sepse kështu Bashkimi Europian bëhet më I fortë.

Ambasadorët e vendeve që merrnin pjesë vunë në dukje faktin që në shtetet e tyre po krijohen kushte të favorshme ligjore dhe të sigurisë për investimet e huaja. Në këto rrethana do të ishte e pritshme që firmat e landit të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë të mos ngurrojnë në investimin e kapitalit të tyre në një rajon që ofron shumë mundësi.
Ambasadori I Kosovës, dr. Vilson Mirdita, duke folur për gjendjen në të cilën ndodhet sot Kosova dhe synimit të saj për të hyrë në BE tha se pavarësia e Kosovës i ka dhënë fund pasigurisë politike dhe ekonomike që zotëronte në vend para 17 shkurtit të vitit 2008. Shteti I Kosovës është njohur nga shtete më të fuqishme në botë dhe institucione ndërkombëtare, në një pjesë të të cilave tashmë ajo është bërë anëtare siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Prania ndërkombëtare në Kosovë bën që këtu të ketë stabilitet dhe shtet ligjor si dhe siguri ligjore për investorët e huaj. Që nga viti 1999 legjislacioni I Kosovës është vënë mbi baza krejt të reja. Derisa vendet e tjera të rajonit ende kanë procedura të vështira dhe të komplikuara për t’iu përshtatur 80.000 ligjeve të Bashkimit Europian, legjislacioni I Kosovës qysh tani është krejtësisht kompatibël me atë të BE-së.
Dr. Mirdita tha se Republika e Kosovës ka një sistem tatimi shumë të thjeshtë. Ngarkesa tatimore për ndërmarrjet është shumë e ulët. Me një moshë mesatare prej 25 vjetësh, Kosova e ka popullsinë më të re në gjithë Europën. Shqipja dhe serbishtja janë dy gjuhët zyrtare të vendit, mirëpo, për shkak të pranisë së madhe ndërkombëtare, mund të thuhet se anglishtja është etabluar si gjuha e tretë zyrtare e vendit, kështu që numri i anglishtfolësve në Kosovë është larg mbi mesataren e rajonit. Pastaj reth 25% e popullsisë kosovare jeton në Bashkimin Europian, pjesa më e madhe e tyre në hapësirën gjermanishtfolëse. Lidhjet e tyre me Kosovën, edhe ato të biznesit, janë të qëndrueshme. Mund të thuhet se shoqëria kosovare është shoqëria më shumëgjuhëshe e Ballkanit. Dr. Mirdita foli edhe për pasuritë e mëdha, tokësore dhe nëntokësore, të Kosovës, e cila është një vend që ofron edhe mundësi të mëdha investimi në ekonominë agrare dhe në sektorë të tjerë ekonomikë, qofshin këto investime direkte apo në kuadër të procesit të privatizimit. Dr. Mirdita specifikoi në fjalën e tij edhe fushat ku mund të investohet. Potencialet më të mëdha, sipas tij, për të tërhequr investimet e huaja ofrojnë sektorët e teknologjisë informative, ekonomia agrare, përpunimi i produkteve ushqimore, ndërtimtaria, tekstili, industria e furimizimit me automobila, energjetika dhe minierat.

Duke folur për bazat e investimeve, dr. Mirdita shpjegoi se nga 1 janari i vitit 2002 euroja është futur si valutë zyrtare e Kosovës. Në këtë mënyrë është mënjanuar rreziku i monedhës dhe i këmbimit. Euroja sigurisht që e bën Kosovën më atraktive për sa i përket investimeve që vijnë nga jashtë dhe kujdeset për stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik dhe financiar. Kështu Kosova ka një avantazh kundrejt konkurrentëve të saj në rajon. Një faktor tjetër i favorshëm për investimet e huaja është edhe niveli më i ulët në rajon i kostos së transportit.
Ambasadori i Kosovës foli edhe për marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve, gjë që përbën faktorin ndoshta më të rëndësishëm për tërheqjen e kapitalit të huaj në vendin tonë. Në prill të vitit 2006, tha ai, Qeveria e Kosovës ka miratuar ligjin për investimet e huaja direkte. Sipas këtij ligji investorët e huaj gëzojnë trajtim si investorët kombëtar, ata trajtohen sipas parimit të „National Treatment", gjë që do të thotë se firmat e huaja nuk dallohen nga ato vendëse. Veç kësaj, Kosova ka nënshkruar me Gjermaninë marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve dhe marrëveshjen e heqjes së tatimit të dyfishtë. Republika e Kosovës duke pasur një regjim tejet liberal të tregtisë gëzon tri përparësi të mëdha si mundësi më të mira eksportimi, klimë më të mirë investimi dhe marrëdhënje stabile me fqinjtë e saj.
Në fjalën e tij dr. Mirdita i përmendi edhe firmat e mëdha gjermane që janë tashmë në Kosovë që prej shumë vitesh si Procredit Bank (filial i Commerzbank), KNAUF, përfaqësuesë të VolksWagen-it, BMW-së, Würth-it, NIVEA-s etj. Dr. Mirdita tha se Kosova ka vënë tashmë kontakte edhe me ndërmarrjet e landit të Rajnës Veriore dhe të Vestfalisë dhe pritet që nga këto kontakte të dalin investimet e para. Oda e Ekonomisë së Republikës së Kosovës bashkëpunon me Dhomën e Tregëtisë (Handwerkskammer) në Dortmund dhe ka bërë plane për shkollimin profesional dhe specializimin e kuadrove.
Ambasadori I Kosovës duke u ndërlidhur me moton e temës së konferencës në përfundimin të fjalës bëri apel tek të pranishmit që të shfrytëzohen mundësitë e jashtëzakonshme të rajonit për intensifikimin e bashkëpunimit fqinjësor dhe kërkoi që të hiqet dorë nga politikat e dyfishta që, në njërën anë, deklarohen për bashkëpunim, kurse, në anën tjetër, në praktikë e bëjnë të pamundshëm atë. Infrastruktura e Ballkanit e lejon bashkëpunimin, duhet vetëm vullneti I mirë që kjo mundësi ideale të bëhet realitet i prekshëm. Autostrada nga Durrësi në Kukës dhe kufi, e cila në territorin e Kosovës është vazhduar për 30 kilometra gjatë këtij viti brenda dy vitesh të shkojë deri në Merdar dhe të na lidh me fqinjin tonë verior, Serbinë. Kjo mundësi e jashtëzakonshme komunikimi nuk duhet sakrifikohet për shkak të disa grupeve paramilitare në veri që vënë barrikada dhe përpiqen që në rajon të krijohen zona ku nuk veprojnë ligjet, por duan që ligj i përhershëm të bëhet urrejtja etnike. Veprimtaria e këtij grupi të vogël kriminelësh, në llogari të të cilit tashmë ka dhe viktima dhe shumë të lënduar, të kujtojmë vrasjen e policit kosovar dhe shumë ushtarë të plagosur të KFOR-it disa ditë më parë, mjafton për të kuptuar se politika që shërbehet me grupe të tilla përbën një rrezik të vërtetë për paqen e rajonit. Por para se të hiqen këto barrikada në rrugët e Kosovës, sipas ambasadorit të Kosovës, ato së pari duhet të hiqen nga kokat e njerëzve të thjeshtë dhe, para së gjithash, nga kokat e udhëheqësve të tyre politikë.
Në fillim të konferencës ambasada kosovare shpërndau një deklaratë për shtyp ku thuhej se Kosova në vitet e fundit që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 ka shënuar rezultate të konsiderueshme në drejtim të ndërtimit të një ekonomie moderne të tregut. Edhe përkundër krizës ekonomike dhe financiare në botë, ekonomia kosovare ka mundur të shënojë një rritje prej 4%, ndërsa gjatë këtij viti po sipas FMN-së kjo rritje pritet të jetë 5,5%. Në këtë deklaratë thuhet më tej se Kosova ofron kushte shumë të favorshme për investorët e huajë. Që nga janari I vitit 2009 ka hyrë në fuqi tatimi i sheshtë, flat-tax, prej 10%. Në të njejtën lartësi, pra 10%, është edhe tatimi mbi të ardhurat. Në fund të deklaratës në mënyrë të përmbledhur thuhet se faktorët që do të duhej t’i nxisnin firmave gjermane për të investuar në Kosovë janë pozita qendrore e saj në rajon, legjislacioni kompatibël me atë të BE-së, çasja e lirë në tregun e BE-së, CEFTA-s dhe pjesërisht në ato të SHBA-së, fuqia e lirë punëtore dhe mirë e kualifikuar, tatimet e ulëta dhe sigurisht jo në fund monedha e eurosë si monedhë zyrtare. Për shkak të të gjitha këtyre lehtësive, përfundon deklarata, Kosova është kthyer në një vend shumë atraktiv për investorët e huaj.
Një ditë pas përfundimit të Konferencës së Köln-it, ambasadori I Kosovës Dr. Vilson Mirdita mbajti një ligjëratë në Universitetin Popullor në qytetin e Warendorf-it në rrethin e Münsterit, nja 200 kilometra në verilindje të Köln-it. Ligjërata e tij u përcoll me interesim, kurse në fund të saj drejtori i këtij institucioni Rolf Zurbrüggen , I cili njëkohësisht është dhe nënkryetar I Asociacionit të Universiteteve Popullore në landin e Rajnës Veriore dhe Vestfalisë I propozoi ambasadorit tonë një takim të ri me të ku do të bisedohej rreth mundësisë që dr. Mirdita të mbajë një seri ligjëratash të tilla në Universitete të ngjashme në qytete të ndryshme të këtij landi, gjë që nga amabsadori Mirdita u prit me kënaqësi, sepse kjo përbën një mundësi të jashtzakonshme që Republika e Kosovës të bëhet e njohur në qarqe të gjera popullore gjermane.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus