Kryesore » 2012 » Maj » 18 » “Kosova punon për vete, jo për BE-në”
4:34 PM
“Kosova punon për vete, jo për BE-në”
Tërë procesi evropian i Kosovës nuk është për BE-në, por është për ta bërë Kosovën evropiane dhe kjo është ajo që ne dëshirojmë të bëjmë, kjo është ajo që jemi duke bërë së bashku. Kështu ka thënë sot përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ndërsa, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka pohuar se nuk mund të hyjmë në BE duke mbajtur fjalime të mira, por duke i bërë reformat që janë të nevojshme për t’u bërë.
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, gjatë një fjalimi që ka mbajtur sot para një grupi të rinjsh, të cilët kishin fituar bursa në skemën "Skema Cell”, u ka thënë atyre se e tërë ajo që po e bën Kosova nuk po e bën për BE-në, por për Kosovën evropiane.

"Tërë procesi evropian i Kosovës nuk është për BE-në, por është për të bërë për Kosovën evropiane dhe kjo është ajo që ne dëshirojmë të bëjmë. Kjo është ajo që jemi duke bërë së bashku, duke e bërë Kosovën më shumë evropiane, hap pas hapi. Është një ndihmë nëse kemi perspektivë të mirë, e cila ka filluar me studimin e fizibilitetit dhe le të shpresojmë në ata për veten e tyre në fund të vitit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qëllimi kryesor është për t’u bashkuar me BE-në, jo vetëm sepse e pëlqejmë BE-në, si institucion, apo Brukselin, por e shohim BE-në me shtetet anëtare ku gjërat funksionojnë, njerëzit janë të lumtur, janë të punësuar, ambienti dhe energjetika janë në nivel, gjykatat dhe sundimi i ligjit funksionojnë.

Ndërsa ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë se nuk mund të bëhemi pjesë e BE-së duke mbajtur fjalime të bukura, por duke i bërë reformat që na kërkohen.

"Nuk do të mundemi të bëhemi anëtar i BE-së me anë të fjalimeve të mira. Janë të rëndësishme por nuk janë kryesore. Duhet të kryejmë reformat dhe ne që jetojmë në Kosovë e dimë më mirë se çdokush se sa shumë na duhet të bëjmë”, ka thënë ajo.

Çitaku ka thënë se institucionet e Kosovës e kuptojnë se shumë reforma duhet të bëhen. Reforma e administratës publike, sipas saj, është një nga elementet kryesore që duhet të adresohet në procesin e integrimit evropian.

Ajo është shprehur shumë e lumtur për interesimin e kaq shumë të rinj për të studiuar në fushat lidhur me çështjet evropiane. Ajo u ka thënë të rinjve se kur të bëhen pjesë e ministrisë që ajo drejton, atëherë do të kuptojnë sa të rëndësishme janë njohuritë e tyre dhe se Kosova do të ketë nevojë për të rinjtë me qëllim të avancimit të perspektivës evropiane.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus