Kryesore » 2011 » Tetor » 21 » Kosova në fund të pusit për biznes
12:41 PM
Kosova në fund të pusit për biznes
Plani i Banjkos së Bullgarisë ka pësuar një goditje të fuqishme të enjten nga Banka Botërore(BB), sidomos sa u përket reformave të planifikuara në biznes nga Qeveria e Kosovës.Ky plan për ekonomi, i hartuar muaj më parë nga disa ministra të ekzekutivit të vendit, potencon se Kosovës do t’i njihet statusi i top- reformatorit në biznes në vitet 2012-2013, përderisa në vitin 2014 vendi do të futet në top-dyzetëshin e vendeve nga BB-ja.Mirëpo, sipas raportit të publikuar të enjten nga kjo e fundit, Kosova është e 117-ta në listën e vendeve për të bërë biznes në vitin 2012, pa asnjë ndryshim nga viti 2011.Më mirë se Kosova janë renditur në listë të gjitha vendet e rajonit, përpos Bosnjës e Hercegovinës, e cila gjendet e 125-ta në listë. BB sqaron se klasifikimi i përgjithshëm i lehtësisë së të bërit biznes mbështetet në 10 tregues dhe mbulon 183 ekonomi. Rangimi i Kosovës sipas treguesve në të bërit biznes për vitin 2012 është: Nisja e një biznesi, ku Kosova radhitet e 168-ta; zgjidhja e çështjes së lejeve të ndërtimit, 171-ta, sigurimi i energjisë elektrike e 124-ta, regjistrimi i pronës 73-ta, marrja e kredive 24-ta; mbrojtja e investitorëve 174-ta, pagimi i taksave 46-ta; tregtia ndërkufitare 131-ta, zbatimi i kontratave 157-ta dhe zgjidhja e çështjes së insolvencës e 31-ta. 

Për dallim nga Kosova, Shqipëria ndodhet 35 vende më lart se Kosova, përkatësisht e 82-ta në listë. Sipas BB-së, Shqipëria e ka bërë regjistrimin e pronave më të lehtë, duke vendosur afate kohore për regjistrimin e tapive në regjistrin e tokave.

Nga ana tjetër, marrja e lejeve të ndërtimit në Shqipëri është bërë më e vështirë, për shkak se autoriteti kryesor që përgjigjet për dhënien e lejeve të ndërtimit nuk është mbledhur qysh nga prilli i vitit 2009.

Kryereformatori rajonal në fushën e biznesit është ish-republika jugosllave e Maqedonisë, e cila gjendet e 22-ta në listën e BB-së, apo 12 vende më lart se radhitja nga viti i kaluar.

Sipas BB-së, Maqedonia e ka bërë marrjen e lejeve të ndërtimit më të lehtë, duke ia kaluar proceset e mbikëqyrjes sektorit privat dhe duke thjeshtuar procedurat.

Ajo e ka bërë më të lehtë regjistrimin e pronave duke ulur pagesat për noterët dhe duke bërë të detyrueshme afatet kohore të parashikuara në Ligjin për kadastrën e pasurive të patundshme.

Ngritja e një zyre private të kredive e ka përmirësuar sistemin e informacionit rreth kredive. Ndërsa amendamentet legjislative e kanë rritur transparencën e procesit të falimentimit.

Mali i Zi është i 56-ti në listën e BB-së. Ky vend e ka bërë më të lehtë nisjen e një biznesi duke zbatuar metodën me një ndalesë. Ai e ka bërë pagesën e taksave më të lehtë dhe më pak të kushtueshme për fi rmat, duke hequr një taksë, duke ulur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe duke shkrirë disa formularë në një formular të vetëm të deklarimeve tatimore.

Së fundi, Mali i Zi ka miratuar një ligj të ri për falimentimin, i cili fut riorganizimin dhe procedurat e likuidimit dhe përcakton afate kohore për këto procedura. Ligji parashikon arkëtimin e të drejtave dhe shlyerjen e kreditorëve të siguruar përpara përfundimit të gjithë procedurës së falimentimit. .

Ndërsa Serbia është e 92-ta në listën e Bankës. Ky vend e ka bërë më të shpejtë transferimin e pronave, duke ofruar një opsion të përshpejtuar.

Serbia gjithashtu ka miratuar ligje që fusin kërkesa profesionale për administratorët e falimentimit dhe ka rregulluar shpërblimin e tyre.

Më poshtë se të gjitha vendet e rajonit në listë është Bosnja dhe Hercegovina, e cila gjendet e 125-ta në listë. Bosnja e ka bërë më të lehtë marrjen e lejeve të ndërtimit, duke e digjitalizuar plotësisht dhe riorganizuar regjistrin e tokave dhe kadastrën.

Përveç kësaj, ajo e ka bërë më të lehtë nisjen e një biznesi duke zëvendësuar lejen e përdorimit që kërkohej më parë, me një njoftim të thjeshtë të fillimit të veprimtarisë, si dhe duke e bërë më të efektshëm procesin e marrjes së një numri të identifikimit të taksave.

Lista e BB-së, Kosova krahasohet me Uzbekistanin, Rusinë,...

Maqedonia 22

Mali i Zi 56

Shqipëria 82

Serbia 92

Kosova 117

Federata Ruse 120

Bosnja 125

Taxhikistani 147

Ukraina 152

Uzbekistani 164
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus