Përfaqësuesit e partive politike nga tabori opozitar, por edhe analistët politikë nuk shprehen të befasuar nga publikimi i raportit për korrupsion nga "Transparency International”, ku Kosova radhitet e para në rajon për nga niveli i korrupsionit, ndërsa mban vendin e 110-të në mesin e 178 vendeve më të korruptuara të botës.Sipas tyre, Qeveria e Kosovës e ka filluar mandatin e saj në luftën kundër korrupsionit ndërsa vetë është zhytur në pafundësi në korrupsion. Madje siç thonë përfaqësuesit e opozitës, fajin kryesor për nivelin e korrupsionit e kanë ndërkombëtarët, të cilët i kanë "kidnapuar” rastet më të rëndësishme për t’i zbardhur, por nga paaftësia dhe pamundësia për veprim, i kanë devalvuar. Kjo, sipas opozitës, ka qenë e qëllimshme dhe se korrupsioni në Kosovë mbetet vetëm një mjet në duar të ndërkombëtarëve. Përderisa, zyrtarë qeveritarë nuk kanë dashur ta komentojnë një gjë të tillë.
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk çuditet nga kjo renditje që i është bërë Kosovës.
Sipas tij, për dy vjet radhë Kosova po merr notë negative edhe në Raportin e Progresit sa i përket korrupsionit. Hoti po ashtu thotë se raporte negative lidhur me korrupsion ka edhe nga Banka Botërore.
"Ky raport i TI-së është konsistent me shumë vlerësime që janë bërë edhe më herët për ekonominë. Kemi pasur rastin e PTK-së shtyrjen e privatizimit të saj, ka informacione që kompanitë e interesuara për këtë janë tërhequr për shkak të joefikasitetit të institucioneve tona. Krejt indikacionet janë që ky raport veç po e konfirmon atë që e dimë dhe po e përjetojmë çdo ditë”, ka thënë Hoti.
Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ky raport bazohet në të dhënat që kanë pasur rezultat të zhvillimit në Kosovë e që, sipas tij, të gjithë e dinë se në Kosovë ekziston korrupsioni. "Kjo qeveri e ka filluar mandatin e saj në luftën kundër korrupsionit ndërsa vetë është institucioni i cili është zhytur deri në fund në të. Në korrupsion përpos qeverisë janë të përfshira edhe gjykatat dhe shumë institucione të tjera në Kosovë”, ka thënë Isufi.
Edhe për analistin Avni Zogiani nuk ka befasi që Kosovë është renditur e para në rajon sa i përket korrupsionit. "Nuk ka befasi për mua. Mendoj që korrupsioni do të vazhdojë edhe më tutje, madje ai do të thellohet më shumë për aq kohë sa korrupsioni është vlerë për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, sepse nëpërmjet korrupsionit arrihet lojaliteti i politikës kosovare ndaj ndërkombëtarëve”, ka thënë Zogiani.
Zogiani mendon që lojaliteti ndaj ndërkombëtarëve është arsyeja kryesore pse vazhdon korrupsioni të jetë kaq i pranishëm në Kosovë. "Aktualisht kemi një marrëdhënie pak a shumë të shantazhit ndërmjet politikës kosovare dhe asaj ndërkombëtare.
Duke qenë se ndërkombëtarët nëpërmjet EULEX-it, një kohë nëpërmjet UNMIK-ut e kanë kidnapuar luftën kundër korrupsionit duke i marrë rastet më të rëndësishme për t’i zbardhur por që i kanë degraduar në raste të pavlefshme”, ka thënë Zogiani. Kjo, sipas tij, ka qenë e qëllimshme dhe korrupsioni në Kosovë mbetet vetëm një mjet në duar të ndërkombëtarëve.
Ndryshe, sipas raportit të Transparency International, Kroacia dhe Maqedonia ndajnë vendin e 62-të, Mali i Zi dhe Serbia zënë vendin e 69-të dhe 78-të, ndërsa Bosnja e Hercegovina të 91-të. Ndërkaq, në mesin e tri shteteve në të cilat pothuajse nuk ka korrupsion janë Danimarka, Zelanda e Re dhe Singapori, ndërsa Afganistani, Mianmari dhe Somalia mbajnë tri vendet e fundit, përkatësisht ato janë vendet më të korruptuara në botë.
Kosova edhe vitin e kaluar nga raporti i TI-së ka marrë nota të dobëta, madje ka qenë e para në rajon me dozën më të lartë të korrupsionit në institucione.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus