Kryesore » 2012 » Prill » 1 » Korrupsioni që nuk ndëshkohet, largon investitorët
1:50 PM
Korrupsioni që nuk ndëshkohet, largon investitorët
Një nga problemet për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve në Kosovë është korrupsioni, i cili në Kosovë ka përmasa të mëdha, thonë njohës të çështjeve ekonomike 
 Këto deklarata të ekspertëve të ekonomisë vijnë pas publikimeve të raportit vjetor të Agjencisë Kundër-korrupsioni të Kosovës, në të cilin thuhet se në sistemin e drejtësisë, në Qeveri, në pushtetin lokal dhe në institucionet tjera të Kosovës vazhdon të jetë i pranishëm korrupsioni.Në këtë raport, përveç tjerash është theksuar se gjatë vitit të kaluar, në 160 raste janë gjetur elemente bazë për fillimin e procedurës së hetimeve paraprake të dyshuara për korrupsion. Rastet e dyshuara për korrupsion mendohet të kenë dëmtuar buxhetin e vendit për miliona euro.Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se ky nivel i korrupsionit në Kosovë po largon investitorët e huaj.

"Në rajon, pra edhe në Kosovë, njëri nga problemet për zhvillim që nënkupton edhe ardhjen e investitorëve të huaj, është niveli i lartë i korrupsionit. Kjo padyshim do të jetë njëra nga sfidat dhe pengesat kryesore dhe nëse nuk vërehet ndonjë këmbëngulësi që qasjet të kanalizohen dhe që të jetë një luftë më e vendosur kundër korrupsionit, e jo ajo të mbetet vetëm në nivelin verbal, domethënë ajo çfarë është duke ndodhur tani”, thotë Rexhepi.

Rënien e investimeve të huaja e vërtetojnë edhe raportet zyrtare të institucioneve të Kosovës.

Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në vend kanë qenë 421 milionë euro; më 2008 - vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro; ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro, në vitin 2010, investimet kanë rënë në 265 milionë euro, kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, investimet e huaja në Kosovë kanë qenë 157 milionë euro.Sipas Ibrahim Rexhepit, largimin e investitorëve e ka dëshmuar më së miri tërheqja e kompanive të huaja që po hyjnë në garë për privatizim e kompanive publike, siç ishte rasti i Postë-Telekomit të Kosovës.

"Njëra prej arsyeve për tërheqjen e investitorëve apo kompanisë për blerjen e PTK-së, ishte çështja e zbardhjes së disa situatave të dyshimta, të cilat ishin në procedura hetimore. Pra, çështje e korrupsionit është njëra nga problemet më madhore dhe problemi është se fatkeqësisht do të jetë i pranishëm edhe për një kohë shumë të gjatë”, thekson Rexhepi.

Pa eliminimin e kësaj dukurie, thotë Rexhepi, asnjë investitor i jashtëm nuk do të interesohet për tregun e Kosovës.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ismajl Kastrati, thotë se
në kohën e krizës, kur paraja është e mangët, në një korrupsion të tillë, çfarë është në Kosovë, e, siç thekson Kastrati, shpesh herë mbetet i pa ndëshkuar, sigurisht që investimet e jashtme nuk orientohen në Kosovë."Në përgjithësi, ambienti për biznese të huaja është i dobët në Kosovë. Ndër shkaqet e ikjes së investitorëve është edhe niveli i korrupsionit, e në veçanti te zyrtarët më të lartë në Kosovë. Korrupsioni është ai, i cili ka ndikuar të mos privatizohet me sukses PTK-ja, të prolongohen investimet në termocentralin ‘Kosova e re’ etj”, vlerëson Kastrati.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, investimet e huaja të drejtpërdrejta janë mundësia më e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Hapja e Kosovës ndaj kapitalit të jashtëm, thonë ata, është shumë e domosdoshme. Pa ardhjen e investitorëve të huaj, Kosova nuk mund të ketë stabilitet ekonomik apo mirëqenie sociale.

Ismajl Kastrati jep më shumë hollësi:

"Investimet e jashtme direkte janë shumë pozitive, sepse krijojnë mundësinë për rritjen e punësimit dhe rritjen e GDP-së në ekonominë e Kosovës. Po ashtu, krijojnë mundësinë që ta zvogëlojnë dhe importin dhe ta rrisin eksportin”.

Ndryshe, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ditë më parë kishte theksuar se asnjë afarist i arsyeshëm nuk do të dëshironte të investonte në një vend ku ka korrupsion.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus