Kryesore » 2011 » Korrik » 8 » Komunat në “thumb” të Thaçit
6:17 PM
Komunat në “thumb” të Thaçit
Tre muaj para se Komisioni Evropian ta publikojë Raportin e progresit për Kosovën, kryeministri Hashim Thaçi ka filluar fushatën e "shfajësimit” për notat e dobëta që eventualisht mund t’i ketë ky raport. Ai, fajin për ngecjet në raport me agjendën e integrimeve ua hodhi kryetarëve të komunave dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës. I pari i ekzekutivit ka deklaruar se legjislativi duhet t’i "ndezë” motorët dhe deri në shtator t’i miratojë rreth dyzet ligje, të cilat sipas tij, tashmë janë proceduar nga qeveria dhe presin të trajtohen nga ligjvënësit kosovarë. Ndërkaq, ditë më parë ai ka ripërsëritur se komunat duhet të jenë shumë më aktive në përmbushjen e agjendës evropiane, konkretisht në realizimin e riatdhesimit të qytetarëve kosovarë, që është njëra nga parakushtet për liberalizim të vizave. 
Reagimet e kryeministrit Thaçi vijnë vetëm pak ditë pas paralajmërimit të drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierr Mirel, se Raporti i ardhshëm Progresit nuk do të jetë aq pozitiv sa është pritur.
"Për shkak të vonesave në ndërtimin e institucioneve të dala në zgjedhjet e kaluara, janar, shkurt, mars, jemi një hap mbrapa sa i përket legjislacionit. Qeveria ka proceduar në Kuvend rreth dyzet projektligje, unë kam diskutuar me grupet parlamentare, me shumicën prej tyre, janë të gatshëm të punojnë gjatë korrikut e me gjasë edhe gjatë gushtit, në mënyrë që të aprovohen këto ligje që lidhen drejtpërdrejt edhe me Raportin e Progresit”, ka thënë Thaçi, duke lavdëruar Komisionin Parlamentar për Integrime dhe kryetarët e komunave, që janë duke bërë punë të mira në realizimin e agjendës evropiane.
Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk e precizon nëse legjislativi do t’i përshpejtojnë "hapat”, siç ka kërkuar kryeministri Thaçi, por ai pohon se aktualisht është duke u punuar shumë.

"Ju edhe ashtu po e shiheni që Kuvendi është duke punuar çdo javë me seanca. Ne jemi duke i kryer obligimet tona me të gjitha kapacitetet e shtuara dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi, me të përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkaq, për kryetarët e komunave deklarimet e herëpashershme të kryeministrit Thaçi se komunat kanë ngecur dhe se për këtë mund të vonohet realizimi i agjendës evropiane, kryesisht në riatdhesimin e të kthyerve.

Kryetari i Komunës së Therandës dhe sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi, thotë se nuk merret shumë me deklarimet e kryeministrit, të cilat e "prekin” edhe komunën që ai drejton, ndërsa thekson se janë duke punuar me përpikëri që ta përmbushin agjendën evropiane.

"Komuna e Therandës është duke u marrë me procesin e riatdhesimit me një përkushtim të madh. Kryeministri i di detyrat e veta, ai duhet t’i kryejë detyrat e veta që i ka. Vërehet një tendencë e kryeministrit, një përpjekje që t’ua hedhë fajin komunave, por kjo nuk është e mirë. Po shpresojë që kësaj radhe nuk do të kemi fajtor, por do të kemi institucione më meritore për këtë punë”, thotë Kuçi.

Ngjashëm mendon edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa. Personi që mban pozitë të lartë në partinë e kryeministrit Thaçi, thotë se po punohet "ditë e natë” që të arrihet përmbushja e agjendës evropiane.

"Fajtore nuk mund të jenë absolutisht komunat, për shkak se komunat e kanë bërë punën e saj në këtë proces edhe pa ndihmën e qeverisë. Tash kur e kemi ndihmën e qeverisë, ky proces po shkon shumë më thjeshtë dhe më lehtë për shkak se i kemi themeluar komitetet për riatdhesim”, shprehet Mustafa.

Fondi mbahej "sekret”

Drejtuesit e Qeverisë së Kosovës kanë ngecur edhe në njoftimin e komunave për rolin që kanë në procesin e riatdhesimit, posaçërisht në formën se si duhet të aplikojnë për të marrë mjete nga fondi i formuar për këtë çështje.

"Ai fond nuk është shpenzuar, pak është shpenzuar deri sot për shkak se komunat nuk kanë qenë të njoftuara që ekziston. Kemi qenë të njoftuar para disa muajve, por nuk kemi qenë të njoftuar për mënyrën se si duhet të shpenzohet, tash na është sqaruar se për çka është i dedikuar ai fond”, thotë kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Ngjashëm deklarohet edhe kryetari i Therandës, Blerim Kuçi, i cili pohon se shumë vonë janë njoftuar se ekziston një fond i tillë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus