Konkursi për studime master në Universitetin e Prishtinës (UP) do të hapet të hënën. Universiteti publik i Prishtinës për herë të parë që nga paslufta ka hapur dyert edhe për studentë të kolegjeve private. Studentët që kanë mbaruar baçelor te privatët, sipas vendimit më të ri të Rektoratit, do të lejohen të konkurrojnë për master edhe në publik. Vendimi është bërë i ditur nga rektori i UP-së, Mujë Rugova, i cili ka theksuar se numri i konkurrentëve nga privatët nuk do të jetë i kufzuar. Megjithëkëtë ka njoftuar se disa masa do të ndërmerren me rastin e pranimit të këtyre studentëve, e të cilat Rugova ka lënë të nënkuptohet se do të vendosen për të "rritur cilësinë e diplomave” me të cilat konkurrojnë këta studentë. Sipas vendimit të Rektoratit, 2500 studentë gjithsej do të vijojnë studimet në të gjitha njësitë akademike të këtij universiteti. Rektori ka thënë se konkurrimi për privatët është lënë i hapur dhe i barabartë sikurse me studentët tjerë të UP-së. "Është hapur konkursi për studentët që vijnë nga universitetet private, por ata janë të obliguar sikurse studentët që nuk janë të fushës profesionale të hyjnë në pesë provime shtesë”, ka thënë Rugova. "Këto pesë provime zgjasin një vit për të gjithë studentët”. Rektori ka sqaruar se pavarësisht se studentët që konkurrojnë në të njëjtin program në UP, vijnë nga i njëjti program dhe fushë studimi prej kolegjeve private, ata sërish do të hyjnë në pesë provime shtesë.
Fillimi i ligjëratave në master pritet të fillojë në gjysmë të nëntorit. Studimet master zgjasin prej 1,5 deri 2 vjet dhe kërkojnë 90-120 pikë të ECTS-së. Ndërkohë kriteret për pranimin e studentëve në këtë nivel studimesh do të mbesin të njëjta me vitet e mëparshme.
Nota mesatare prej 7.50 e paraparë si prag i kalueshmërisë për klasifikim në fakultetet ku konkurrenca është sa numri i kërkuar me konkurs, vazhdon të mbetet në fuqi si rregull për pranimin e kandidatëve, ndërsa mesatarja e notave nën këtë prag iu krijon mundësinë kandidatëve të pranohen në drejtimet ku konkurrojnë, por vetëm pasi t’i nënshtrohen provimit pranues.
Edhe në studimet master me numrin më të madh të vendeve për konkurrim pritet të qëndrojë Fakulteti Ekonomik dhe ai Juridik.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus