Kryesore » 2011 » Maj » 26 » Kërkon njohje nga Vatikani
0:06 AM
Kërkon njohje nga Vatikani
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, ka vazhduar takimet me autoritete të larta italiane. Krasniqi të mërkurën zhvilloi një takim të veçantë me Monsinjor Jagodzinskin, zyrtar i lartë i shtetit të Vatikanit.
Kryetari i Kuvendit e njoftoi Jagodzinskin me të gjitha të arriturat në Kosovë. Gjatë këtij takimi, kërkesë e veçantë e kryetarit Krasniqi ishte njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit.

Jagodzinski, nga ana e tij, theksoi se është shtuar vëmendja për Kosovën dhe se kjo dëshmohet edhe me emërimin e delegatit apostolik për Kosovën nga Selia e Shenjtë. Ai theksoi, gjithashtu, se Vatikani i përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe shprehu kënaqësinë për arritjet e saj.

Sipas një komunikate për media, një pritje e veçantë, kryetarit Krasniqi i ishte rezervuar edhe nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i parlamentit italian, Stefano Stefani. Duke e falënderuar zyrtarin e lartë të parlamentit italian për pritjen dhe mbështetjen që Italia i ka dhënë Kosovës, kryetari Krasniqi e njoftoi atë me zhvillimet në Kosovë dhe të arriturat e saj.

Nga ana e tij Stefani theksoi se kjo vizitë është një mundësi e mirë për ndërtimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet parlamenteve të të dyja vendeve. Ai tha se për Italinë, Kosova është një vend mik dhe se përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe integrimi evropian i saj, është interes jo vetëm i Kosovës dhe i Italisë, por i të gjitha vendeve të BE-së. /Telegrafi/
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus