Kryetari i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, imami i Xhamisë në Podujevë, Idriz Bilalli, të dielën ka paraqitur një sërë argumentesh për dorëheqjen morale urgjente të kryetarit të BIK-ut, Naim Tërnava."Shoqata Sindikale është kundër kryetarit të BIK-ut, për shkak se ai nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e dhëna prej kur është zgjedhur në këtë post para 7 vjetësh. BIK-u, tash e 12 vjet, nuk ka status të zgjidhur juridik. Përveç kësaj, kryetari aktual i BIK-ut është i ndikuar edhe nga rrymat ekstreme që veprojnë në Kosovë për interesa politike e personale”, ka thënë Idriz Bilalli.Sipas tij, Tërnava, duke ushtruar ndikimin e tij prej kryetari, ka përjashtuar nga Fakulteti i Studimeve Islame edhe disa profesorë dhe ka ndërhyrë në mënyrë flagrante në punët akademike të Fakultetit të Studimeve Islame.Objektivi i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të BIK-ut është që të ruajë frymën tradicionale të fesë islame në Kosovë. "Kjo nënkupton se ne jemi kundër ndikimit të rrymave ekstreme të cilat kanë synime politike dhe kamuflohen nën petkun e fesë islame. Këto rryma, që financohen nga qarqe ekstreme, kanë për qëllim përçarjen dhe zbehjen e imazhit të fesë islame në trevat tona. Ndaj edhe veprimet e tyre të fundit, siç janë protestat në rrugë etj, e kanë qitur në sipërfaqe ndikimin e drejtpërdrejtë në institucionin e BIK-ut. Prijësit e këtyre rrymave dalin edhe si zëdhënës të BIK-ut, kurse kryetari Tërnava hesht dhe nuk del me qëndrime të qarta”, ka shtuar Bilalli. Mosdistancimi ndaj këtyre elementëve jep të kuptohet që aty është një koalicion në heshtje me këto shoqata e individë që nuk kanë të bëjnë fare me praktikën tradicionale të aplikimit të islamit në Kosovë, ka theksuar ai."Arsye për themelimin e Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të BIK-ut është barrikada apo mbyllja e brendshme e një klani në BIK, me në krye kryetarin Tërnava, që nuk ka lënë të depërtojnë njerëz përveç të klanit të tij, të cilët janë servilë të tij”, ka thënë Bilalli.
"Pra, janë shkelur të drejtat e të tjerëve dhe janë larguar njerëz nga puna, siç është rasti i Xhabir Hamitit, vetëm pse nuk janë pajtuar me mendimet e këtij klani”.
Bilalli ka thënë se shoqata që ai drejton i mbështet kërkesat e besimtarëve islamë për ndërtimin e xhamisë në qendër të Prishtinës, dhe futjen e mësim-besimit në arsimin parauniversitar.
Por, ai ka hedhur kritika në drejtim të BIK-ut për mospërgatitje paraprake për një gjë të tillë. "Është futur në rend dite në Parlament çështja e shamisë dhe e mësim-besimit pa përgatitje paraprake nga BIK-u, çka për një gjë të tillë kërkohen një mori përgatitjesh paraprake: nuk është bërë kuadri, as komisioni për hartimin e plan-programit, miratimi i buxhetit, konsensusi me të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë”.
Shoqata sindikale e BIK-ut ka reaguar ndaj një deklarate të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila nuk e njeh këtë sindikatë si legjitime. Arsyet e themelimit të SHS të BIK-ut janë të shumta. Esenciale është keqmenaxhimi i Kryesisë së BIK-ut dhe shkelja flagrante e të drejtave të punëtorëve, shkelja e normave ligjore të cilat vetë i kanë aprovuar dhe miratuar.
Pastaj, keqmenaxhimi i buxhetit ose keqpërdorimi i të mirave materiale buxhetore të BIK–ut, mosrealizimi i premtimeve të dhëna publikisht i kreut të saj, e kulmi i të gjitha të këqijave është ikja nga përgjegjësitë dhe dorëzimi i kompetencave te njerëzit e rrugës e te shoqatat e ndryshme që ata pastaj të luajnë me ndjenjat e besimtarëve, thuhet në reagim.
Nuk i tregojnë emrat
Shoqata sindikale e punëtorëve të BIK-it është themeluar para disa ditësh, ka miratuar aktet normative juridike dhe është duke punuar në terren për anëtarësimin e punëtorëve në shoqatë, por nuk do t`i publikojë të gjithë emrat, sepse Kryesia e BIK-ut menjëherë do të hakmerrej ndaj tyre, thuhet në reagimin e SHS të punëtorëve të BIK-ut.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus