Kryesore » 2011 » Maj » 7 » KEK-u nuk e stabilizoi furnizimin me rrymë
12:39 PM
KEK-u nuk e stabilizoi furnizimin me rrymë
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), në raportin e auditimit menaxherial për importin, blerjet vendore dhe shkëmbimet e energjisë elektrike për vitin 2010 nga Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK), ka konstatuar se, edhe pse ka pasur mjete në dispozicion për të importuar energji, KEK-u nuk ka arritur t’u sigurojë furnizim konsumatorëve.

Po ashtu, ky raport tregon se gjatë vitit 2010, eksporti i energjisë elektrike, në krahasim me importin nga KEK-u, ka qenë më i lartë për 23,813 megavatë. Derisa të gjeturat e këtij raporti tregojnë se KEK-u ka pasur vonesa në përmbushjen e obligimeve të kontraktuara me prodhuesit vendorë për shkak të planifikimit të dobët për kapacitetet prodhuese nga prodhuesit vendorë të energjisë elektrike, shkruan Kosova Sot.

"KEK-u nuk kishte arritur t’i shpenzojë të gjitha mjetet e dedikuara për import të energjisë elektrike për vitin 2010. Në të njëjtën kohë, furnizimi me energji elektrike nuk ishte stabil (në këtë periudhë kishte reduktime ndaj konsumatorëve). KEK-u gjatë vitit 2010 kishte realizuar shkëmbime të energjisë elektrike kryesisht me Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH). KEK-u kishte eksportuar më shumë në krahasim me importet për 23,813 megavatë”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Raporti tregon se prodhuesit vendorë të energjisë nuk kishin ofruar planifikim të mirë për kapacitetet e tyre prodhuese, ndërsa KEK-u nuk kishte arritur t’i përmbushë me kohë të gjitha obligimet e kontraktuara ndaj tyre dhe se ka pasur vonesa gjatë ekzekutimit të pagesave.

"Dobësitë e vërejtura tregojnë se sistemi i kontrollit të brendshëm kërkon të përmirësohet. Në lidhje me këtë, rekomandimi ynë i përgjithshëm për Bordin e KEK-ut është që ta forcojë nivelin e menaxhimit të përgjithshëm në procesin e importimit, blerjeve vendore dhe shkëmbimeve të energjisë, duke pasur objektiv stabilizimin e furnizimit me energji elektrike në vend”, qëndron në raport.

ZAP-i bën të ditur se ky auditim i KEK-ut ka të bëjë me subvencionin qeveritar për importim të energjisë elektrike, blerjen e energjisë brenda vendit dhe shkëmbimet e energjisë elektrike gjatë vitit 2010
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus