Kryesore » 2011»Tetor»18 » Jahjaga e lavdëron PDK-në, Thaçi zotohet për çrrënjosje të korrupsionit
10:58 PM
Jahjaga e lavdëron PDK-në, Thaçi zotohet për çrrënjosje të korrupsionit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shënuar të hënën mbrëma 12 vjetorin e themelimit. Në një solemnitet rasti për këtë datë, fjalim para të pranishmëve të shumtë ka mbajtur lideri i PDK-së njëherësh edhe kryeministër i vendit, Hashim Thaçi, i cili përveç falënderimeve për gjithë aktivistët që i qëndruan besnik partisë, theksoi se në qeverisjen e tij do të vazhdohet me aktivitetet për çrrënjosjen e korrupsionit, vendosjen e sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë dhe integrimin e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimin Evropian. Në ceremoninë kremtuese për ditëlindjen e 12 të PDK-së që u mbajt në Hotel "Emerald”, përveç anëtarësisë së partisë, kishin ardhur edhe presidentja Atifete Jahjaga dhe përfaqësues tjerë të institucioneve e partive që janë në koalicionin qeverisë, disa ambasadorë të akredituar në Prishtinë, por jo edhe ata nga partitë opozitare. Lideri i PDK-së njëherësh dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se të gjithë qytetarët janë meritor për të arriturat e deritashme të Kosovës. Sipas tij, këto dymbëdhjetë vite kanë qenë të mbushura me angazhime, emocione, rënie ngritje dhe suksese, por gjithashtu kanë qenë vite që kanë ndryshuar edhe Kosovën."Sot mbi dymbëdhjetë vite pas çlirimit të Kosovës dhe themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, mbi tri vite pas pavarësisë së vendit tonë ne duhet të bëjmë një pyetje vetës përsëri. A është Kosova në rrugë të mbarë, a po bëjmë aq sa duhet secili prej nesh që fëmijëve t’iu lemë një trashëgimi, një Kosovë me sistem të konsoliduar të vlerave evropiane-perëndimore? Unë për vete jam i bindur se ne jemi shumë më mirë se që kemi qenë ndonjëherë në historinë tonë, por kjo sërish nuk është e mjaftueshme, ne duhet të angazhohemi edhe më shumë që shoqëria dhe institucionet e Republikës së Kosovës të kalojnë në një proces reformash të thella strukturore, duke i dhënë më shumë hapësirë të resë, vlerës dhe punës, duke dashur edhe më shumë vendin dhe institucioneve tona”, ka thënë ai.
I pari i PDK-së, Hashim Thaçi përveç falënderimeve për gjithë aktivistët që i qëndruan besnik partisë, theksoi se në qeverisjen e tij do të vazhdohet me aktivitetet për çrrënjosjen e korrupsionit, vendosjen e sundimit të ligjit e qeverisjes së mirë dhe integrimin e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimin Evropian.
"Për mua prioritet vazhdon të jetë çrrënjosja e korrupsionit nga sistemi politik dhe avancimi i vlerave të reja profesionale, pra sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe transparente e, integrimi i Kosovës sa më shpejt në NATO dhe Bashkim Evropian. Jam shumë i vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe pa sfida po këtë ua kemi borxh qindra e mijëra votuesve e simpatizantëve që asnjëherë nuk hoqën dorë nga ne, që besuan në projektin e PDK-së edhe atëherë kur patëm sfida e lëshime e mbi të gjitha ia kemi borxh Kosovës, ia kemi borxh të ardhmes ,ia kemi borxh fëmijëve tanë”, ka thënë Thaçi.
Në ditëlindjen e PDK-së, ka folur edhe presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila ka dhënë vlerësime pozitive për partinë e kryeministrit Hashim Thaçi. Madje, ajo tha se PDK-ja është meritore për të arriturat e deritashme të Kosovës dhe se motoja e saj në zgjedhje "Së Pari Kosova”, bëri që kjo parti të zgjerohet.
"Partia Demokratike ruajti bazën e një partie moderne, të konsoliduar e të organizuar, duke e pasur përherë entuziazmin e përkushtimin e liderëve, të udhëheqësve dhe të anëtarëve të saj të devotshëm. Ideja e organizimit në parimin "Së pari Kosova” bëri që kjo parti të zgjerohet dhe të bëjë ndryshimet krahas kërkesave bashkëkohore, duke u transformuar dhe duke u përshtatur. Me Partinë Demokratike të Kosovës, ashtu si edhe me partitë e tjera të Kosovës, lidhen sukseset e pavarësisë dhe të prosperitetit të vendit, proceset demokratike, liria e shprehjes dhe e organizimit politik, e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, ka thënë ajo.
Jahjaga shtoi se PDK-ja u organizua dhe u transformua, duke u bërë një lëvizje, që në kuadër të vetes tubon të gjithë spektrin politik, nga ish luftëtarët e UÇK-së, e anëtarët e partive dhe lëvizjeve ilegale, deri te anëtarët e ardhur nga partitë e tjera politike, nga shoqëria civile, nga mediet dhe me prurjet nga brezat e rinj të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, që më parë nuk ishin marrë me politikë.
Mirëpo në këtë solemnitet mungonte nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj për shkak se ai ndodhet në arrest shtëpiak tash e disa javë, nën akuzën për krime lufte, kurse sekretari i përgjithshëm i PDK-së që është njëherësh edhe kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka ardhur me vonesë në këtë eveniment dhe nuk ka mbajtur ndonjë fjalim.
Ndërkaq pas fjalimeve dhe pjesës zyrtare të ceremonisë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës së bashku me të tjerët kanë ngritur nga një dolli, për siç tha Thaçi "sukseset e tyre të përbashkëta dhe objektivat dhe sukseset e reja në të ardhmen”.
Ndryshe për 12 vjet të PDK-së, në të gjithë proceset zgjedhore brenda partisë Thaçi asnjëherë nuk u sfidua për postin e liderit. Mirëpo, tani me reformën zgjedhore dhe përcaktimit që presidenti të zgjidhet me votat e qytetarëve edhe mund të priten ndryshime në lidershipin e PDK-së.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus