Kryesore » 2012 » Nëntor » 16 » Ish-pjesëtarët e UÇPMB-së të njihen si veteranë të Kosovës
11:11 AM
Ish-pjesëtarët e UÇPMB-së të njihen si veteranë të Kosovës
Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) kërkojnë që edhe ata të jenë pjesë e aksionit për pajisje me libreza veteranësh të UÇK-së në Kosovë dhe njohjen e statusit të tyre si veteranë të luftës.
Kërkesa është bërë nga drejtuesit e UÇPMB-së dhe shoqata e shqiptarëve të Kosovës Lindore "Vatra”.
"Misioni luftarako-çlirimtar i UÇPMB-së ishte një vazhdimësi e misionit të çlirimit të atëdheut të cilin mision e nisën liridashësit tanë para shumë vitesh, e që u konkretizua me luftën çlirimtare të UÇK-së. Të gjithë e dimë se edhe gjatë viteve të shtatëdhjeta të gjitha Organizatat që kanë vepruar në ilegalitet, e gjeri tek formimi i njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur kemi bërë betimin, e kemi bërë për çlirimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Atëherë shtrohet pyetja: pse sot të kemi këso ndarje në njohjen apo mos njohjen e librezave të asaj apo kësaj ushtri, kur dihet se që të gjitha ishin çlirimtare. Pas çlirimit të Kosovës një pjesë e madhe e ushtarëve dhe pjesëtarëve të luftës së UÇK –së vazhduan misionin e tyre për çlirimin e atdheut, pra në Kosovën Lindore për çlirimin e këtyre 3 (tri) komunave shqiptare. Disa nga të rënët si dëshmorë janë të lindur dhe të rritur në Kosovë, por tani nuk u njihet e drejta të jenë dëshmorë të Kombit me të vetmin ,,faj” se kanë rënë në luftën e UÇPMB-së”, thuhet në apelin drejtuar Agim Çekut, ish-shefit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe aktualisht ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Shoqatat kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, e sidomos nga Komisioni për përpunimin e ligjit të veteranëve të luftës, të merren parasysh kërkesat e të përfshihen në ligj edhe këto kategori që ishin pjesë e UÇPMB-së siç janë: ish pjesëtarët e luftës së UÇPMB-së, të njihet statusi i dëshmorëve, i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj lufte, pasi që këto kategori kanë mbetur jetime dhe nuk përkujdeset askush për to.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus