Kosovarët lënë pas të gjithë personat që kanë probleme me drejtësinë, apo edhe shumë të kërkuarit, kur bëhet fjalë për pajisjen me pasaportë biometrike shqiptare me gjeneralitete të vjedhura. Statistikat e raportuara nga policia mbi rastet e shtetasve kosovarë që aplikojnë në Shqipëri për një pasaportë biometrike me qëllim lëvizjen e lirë në zonën "Schengen”, flasin për një numër të madh. Vetëm përgjatë vitit të kaluar numërohen 200 raste të tilla, për të cilat ka nisur procedimi penal. Gjithçka ndodh në një kohë, kur Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit përfshirë këtu Serbinë, kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa Kosova vijon të mbetet shteti i vetëm në Ballkan i izoluar tërësisht. Qytetarët kosovarë përveçse përballen me varfërinë, janë të detyruar të jetojnë të izoluar, larg kërkimit për një jetë më të mirë. Në këto kushte, përkundrejt sorollatjes për marrjen e vizave, ata detyrohen të paguajnë nga 2500 deri në 4500 euro qytetarëve shqiptarë, me qëllim marrjen e identitetit të tyre, për t’u pajisur me një pasaportë biometrike, e cila do t’u siguronte atyre lëvizjen e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Edhe pse strukturat shtetërore në Shqipëri kanë vënë në filtër, zyrat e gjendjes civile, ku bëhet aplikimi për pasaportë, sërish qytetarët e Kosovës kanë guxuar, ndonëse kanë përfunduar edhe në pranga. Rastet e shumta, ku vetëm në tre muajt e parë të këtij viti rezultojnë mbi 35 të tilla, tregojnë se as prangat nuk mund t’i privojnë këta shtetas nga lëvizja e lirë.
Identitetet të cilat përdoren janë të shtetasve, të cilët prej vitesh jetojnë jashtë vendit, por ka edhe raste që personat i shesin, si kategoria e personave që nuk kanë mundësi ekonomike, apo nuk iu duhet pasaporta dhe mund të bëjnë pazare të tilla për ta shitur identitetin e tyre.
I gjithë procesi i pajisjes me një identitet të ri dhe me një pasaportë biometrike shqiptare zgjat vetëm dy ditë. Kjo ishte dhe arsyeja që Ministria e Brendshme shqiptare ndryshoi rregullat për pajisjen e personave me pasaporta biometrike. Urdhri i ministrit Bujar Nishani mban datën 11 nëntor 2011.
Udhëzimi ia ka hequr firmës private "Aleat”, të drejtën e lëshimit të pasaportave biometrike dhe ia ka kthyer këtë të drejtë policisë. Procedura e re për një pasaportë biometrike parashikon aplikimin njëkohësisht në polici dhe në njësinë bashkiake.
Por, edhe kjo mënyrë sigurie nuk ka funksionuar, pasi pak ditë më parë në Tiranë u arrestua një grup prej katër personash, të cilët akuzohen se kanë falsifikuar një pasaportë biometrike shqiptare për një vajzë nga Deçani, e cila do të udhëtonte si shtetase shqiptare në zonën "Schengen”, për të shkuar tek i fejuari i saj në Belgjikë.
Pasaporta ishte prodhuar me të dhënat e një shtetaseje shqiptare dhe tek foto ishte vendosur imazhi i vajzës nga Kosova. Kjo, sipas policisë, është skema klasike që po përdoret në masë për falsifikimin e pasaportave biometrike shqiptare. Burime nga organi i akuzës konfirmojnë se të njëjtin mekanizëm kanë ndjekur edhe rastet më të fundit të konstatuara nga policia në Portin e Durrësit, ku në mes të të ndaluarve ishte dhe një 17-vjeçar nga Prizreni.
E gjithë kjo situatë është kthyer në një realitet të dhimbshëm për qytetarët kosovarë, ndërkohë që qytetarët serbë vijojnë të lëvizin lirshëm, pavarësisht se presionet e shtetit serb me arrestime të kosovarëve janë të përditshme. Sikur të mos mjaftonte kjo dhe nëpërkëmbja për vite të tëra të lirisë së kosovarëve nga serbët, këta të fundit, jo në pak raste u bëjnë thirrje qytetarëve kosovarë që të pajisen me pasaporta biometrike serbe, me qëllim që të lëvizin lirisht.
Madje zyrtarë serbë, në disa raste spekulojnë edhe me shifra, duke raportuar që 1 milion kosovarë tashmë janë qytetarë të Serbisë. Kurthi i lëvizjes "Schenge” po mban peng qytetarët e Kosovës, të cilët e kanë kërkuar lirinë prej kohësh. E, në një kohë kur jetojnë të pavarur, Serbia tenton t’i mbajë në kthetra, duke i joshur me lëvizjen e lirë, por që realisht po bllokon të gjitha rrugët që të çojnë drejt lëvizjes së lirë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus