Në Kosovë, ekzistojnë disa lloje pushtetesh, vendore e ndërkombëtare, të cilat nuk udhëhiqen nga i njëjti trup vendimmarrës. Përpos pushtetarëve vendorë, në vendin tonë, të drejta ekzekutive kanë edhe ndërkombëtarët, përfshirë edhe ata që ndërhyjnë në punët e brendshme përmes zarfeve të nxjerra nga xhepi, apo siç quhen zyrtarisht ambasadat. Duke u mbështetur në këtë realitet, mbyllja e ICO-s automatikisht nuk duhet kuptuar si "përfundim i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë”. Të paktën kështu mendon një nga udhëheqësit e organizatës "Çohu”, Avni Zogiani, i cili vlerëson se "shteti që nuk e ka gjyqësinë e policinë në duar të veta, nuk është shtet i pavarur”. Sidoqoftë, zyra që udhëhiqet nga diplomati holandez Pieter Feith, beson që "fundi i pavarësisë së mbikëqyrur mund të arrihet në vitin 2012, nëse të gjithë akterët e përfshirë punojnë së bashku”.
Kur e thotë këtë, zëdhënësi i Feith, Christian Palme, siç duket e harron praninë edhe të misioneve tjera ndërkombëtare dhe fuqive ekzekutive që kanë ato. Palme vlerëson se "misionet tjera vetëm do e përkrahin Kosovën, por pa fuqitë që tani i gëzon ICO”.
Në fakt, të drejtat ekzekutive që i ka Feith, nuk i ka përdorur asnjëherë me arsyetimin se "nuk dëshiron që t’ua kujtojë kosovarëve kohën e UNMIK-ut”.
Krahasimin me UNMIK-un e bën edhe Avni Zogiani, pasi ky i fundit mendon që fjalët për mbylljen e ICO-së dhe me këtë edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare janë një manipulim i ngjashëm sikur me reduktimin e misionit të OKB-së në Kosovë.
"ICO edhe ashtu ka qenë një lloj pushteti paralel me EULEX-in, i cili ka fuqi ekzekutive dhe përmes së cilit edhe BE edhe SHBA-të do të vazhdojnë që substancialisht të ndikojnë në vendimmarrjen kosovare”, vlerëson Zogiani.
Misioni që quhet i BE-së për sundim të ligjit, por që ka edhe staf jo evropian në të, zyrtarisht ka të drejta ekskluzive nga pushteti kosovar në tri fusha, dogana, drejtësi dhe siguri. Gjyqtarët e EULEX-it mund të hetojnë çdo zyrtar kosovar ndërsa ata, ndër të tjera, i kanë përgjegjësi dosjet e krimeve të luftës dhe korrupsionin në nivele të larta.
Përpos kësaj, për Avni Zogianin, edhe pas mbylljes së ICO-së, EULEX-i mund të ndërhyjë në mënyrë indirekte edhe në ekonomi dhe të gjitha fushat potencialisht.
"Strukturat që në mënyrë organike janë të përfshira në vendimmarrje janë ICO dhe EULEX-i. Kjo e fundit do të vazhdojë të jetë një lloj ndikuesi në të gjitha fushat, sidomos kur e kemi parasysh që politika në Kosovë është substancialisht e korruptuar, ndërsa gjithmonë do ketë nevojë për një adresë siç është EULEX-i”, vlerëson më tutje Zogiani. Drejtori i "Çohu-t” thotë se mbyllja e ICO-së nuk do të ndihet fare pasi edhe tani që është "e gjallë” prania e saj është gati zero.
Për zyrën e Pieter Feith-it, suksesi i tyre është pothuajse para fundit duke përmendur obligimet që i ka në bazë të Pakos së Ahtisaarit, e të cilat kur i përmend të krijohet përshtypja që kjo zyrë është krijuar vetëm për minoritetet e Kosovës.
Sipas Christian Palme, projektet me prioritet për ICO janë programi i decentralizimit duke e përfshirë edhe veriun, fuqizimi i komunave të reja me shumicë serbe në tërë Kosovën, transferimi i kompetencave në pajtim me Pakon e Ahtisaarit, zbatimi i kornizës së plotë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe provizionet ligjore për të drejtat e komuniteteve.
Kemi plan edhe për kompetencat e EULEX-it
Qeveria kosovare deklarohet se është e përgatitur për të marrë jo të gjitha, por shumicën e kompetencave të ndërkombëtarëve deri në fund të vitit 2012.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka thënë "Zërit” se kompetencat e ICO dhe EULEX-it janë tashmë duke u diskutuar paralelisht.
"Ne kemi bërë dy projekte që i kemi dorëzuar në Bruksel. I pari ka të bëjë me transferimin e kompetencave nga EULEX-i dhe projekti i dytë, që besoj se do të dërgohet në takimin e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, të datës 22 janar, i cili ka të bëjë me përfundimin e misionit të ICO-së”, vlerëson Kuçi.
Sipas tij, më afër është fundi i ICO-së pasi kompetencat e EULEX-it do të kërkohet të dorëzohen në mënyrë të përshkallëzuar.
"Ndoshta viti 2012 do të jetë përfundimi i kompetencave ekzekutive. Mund të jetë që rastet për krime lufte dhe korrupsioni në nivele të larta të vazhdojnë të jenë në duar të tyre, por të tjera si p.sh., niveli i gjykatave të qarkut të kalojnë në tërësi në Qeverinë e Kosovës”, thotë më tutje Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është dhe ministër i Drejtësisë.
Ai tregon që qeveria kosovare i ka nisur diskutimet për kompetencat e EULEX-it më 11 tetor të këtij viti kur ia ka dërguar projektin e tij Departamentit për Misione Civile në BE. Nga ajo datë e deri në dhjetor janë mbajtur takime edhe në Prishtinë dhe Bruksel, takime ku janë përfshirë edhe kryeministri dhe ministra të tjerë.
Zëvendëskryeministri thotë që deri më tash, 80 % e projektit të tij është përkrahur nga ambasadorët e BE-së, përfshirë edhe ata të Greqisë e Spanjës.
"Mbrëmjen e 20 dhjetorit, kam pasur një darkë pune me ambasadorët e BE-së, që janë përfaqësues të Komitetit të Politikave të Sigurisë së BE-së, ku mund të them që mbi 80 % e planit është përkrahur. Tani besoj që nga fundi i janarit të 2012-ës, Kosova do ketë një plan të përbashkët me BE-së për këtë çështje”, thotë Kuçi.
Çështja ICO-s, sipas Kuçit, është shumë më e thjeshtë pasi kjo zyrë tashmë e ka përfunduar rolin e saj.
"ICO pas ndërtimit të komunave të reja është parë që nuk ka më mandat. Mandati i tyre në fakt është dashur të vazhdojë me ndërtimin e komunës veriore, por është parë që nuk ka pasur sukses atje, as ICO e as dikush tjetër”, vlerëson zëvendëskryeministri Kuçi. Për këtë të fundit, e gjithë "lufta” tani e tutje do jetë që të bartet agjenda nga ICO e EULEX-i, në tërësi në duart e Komisionit Evropian.
Pushteti i ambasadave
Kur flitet për ambasadat, padyshim që pikë së pari mendja shkon te Ambasada e SHBA-ve në Kosovë, ndikimi i së cilës gjatë vitit 2011, edhe me pamje filmike e fotografi është verifikuar.
Jo vetëm zgjedhja e kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli, si president, pas presioneve me "sms” nga ambasadori Chris Dell, por dhe vizitat e shpeshta të zyrtarëve amerikanë në Kuvendin e Kosovës, sidomos kur deputetët duhet të votojnë për ligje të ndjeshme e kanë verifikuar përfundimisht atë që deri vonë është folur vetëm koluareve.
Për analistin Avni Zogiani, pushteti i tillë i ambasadave ndodh vetëm te shqiptarët pasi atë e lejon vetë pushteti.
"Historikisht ambasadat kanë pasur ndikim në vende që janë ndjerë inferiore ndaj tyre, e në këtë grup bëjnë pjesë sidomos Kosova dhe Shqipëria”, thotë Zogiani, porse me këtë nuk pajtohet ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
"Nëse e marrim në kuptimin figurativ, edhe Franca ka ambasada që kanë ndikim”, vlerëson Kuçi, i cili në pyetjen që niveli i ndikimit nuk është si në Francë, përgjigjet: "Por, edhe ne nuk jemi si Franca, ne e dimë atë. Raportet tona e interesin tonë nacional ne gjithmonë do ta mbrojmë përmes partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe fuqisë sonë. Por, në interesin final tonin është që të ruajmë dhe të zhvillojmë partneritetin me ta”.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus