Jo rrallë herë, zyrtarë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, kanë dhënë ide për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës, tërësisht të dalë jashtë kontrollit të autoritetit ligjor. I fundit që ka bërë një propozim të ri për veriun është presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili përmes një plani katërpikësh, tenton krijimin e një entiteti të veçantë në veri, të ngjashëm me Republikën Serbe të Bosnjës. Sidoqoftë, në mesin e disa misioneve të huaja të akredituara në Prishtinë, funksionon edhe një zyrë, e cila për detyrë e ka të ndalojë përpjekjet apo planet që nuk janë në një vijë me Propozimin për status të Kosovës bërë nga ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, shkruan Zeri. Zyra Civile Ndërkombëtare apo misioni i udhëhequr nga diplomati holandez, Pieter Feith, në Kosovë, funksionon veçanërisht për të verifikuar nëse Pako e Ahtisaarit po zbatohet dhe nëse ndonjë ligj që miratohet në Kuvendin e Kosovës nuk bie në kundërshtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Status. Në faqen e internetit të ICO-së, te linku Për ne, ndër të tjera thuhet se qëllimi i tyre është garantimi i zbatimit të plotë të propozimit për zgjidhjet e statusit të Kosovës. Kjo i bie që edhe në rast se qeveria e Kosovës apo kushdo tjetër dëshiron të zbatojë plane ndryshe prej asaj që thuhet në Pakon e Ahtisaarit, Pieter Feith me ekipin e tij në ICO do të duhej të ndërhynte menjëherë për ti ndaluar ata.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus