Kryesore » 2011 » Tetor » 17 » I kthejnë frangat
3:37 PM
I kthejnë frangat
Gjykata Federale e Zvicrës mbështeti pensionistët e Kosovës. Ajo e cilësoi të paligjshëm vendimin e Qeverisë së saj për ndalimin e dhënies së pensioneve për kosovarët që nuk jetojnë në Zvicër. Madje, gjykata kërkoi që ato të paguhen në mënyrë retroaktive. Ministri Nenad Rashic dhe BSPK i gëzohen këtij lajmi.Mehmet B. është gëzuar të dielën. Një lajm i mirë i ka ardhur nga Zvicra. Këtë burrë rreth të pesëdhjetave e kanë thirrur në telefon shokët e tij nga Cyrihu, qyteti ku ka jetuar për shumë vjet, për t’ia dhënë lajmin e mirë. Pensionin që Zvicra ia ka ndërprerë tash e 18 muaj, do ta marrë përsëri. Edhe atë në mënyrë retroaktive për gjithë muajt që nuk ka marrë asnjë rapi nga shteti helvetik."Qe 18 muaj nuk kam e marrë pensionin. Me këtë vendim mua më takojnë më shumë se 18 mijë franga”, thotë Mehmet B nga Prishtina. Ky qytetar dhe shumë të tjerë nga Kosova që marrin pensione nga Zvicra mund t’i gëzohen lajmit se Gjyqi Federal i Zvicrës ka vendosur se është i paligjshëm vendimin i Qeverisë së Zvicrës, që e mori në prill të vitit 2010, për ndërprerje mbi Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë. Qeveria zvicerane në dhjetor të vitit 2009, kishte marrë vendim për ndërprerjen e pagimit të pensioneve në Kosovë, duke filluar nga 1 prilli 2010. Në këtë mënyrë, ajo ishte përcaktuar për mosvazhdimin e marrëveshjes mbi sigurimet shoqërore me ish-Jugosllavinë në raport me Kosovën. Lajmin e mirë për pensionistët kosovarë e ka bërë të ditur Sindikata e Punëtorëve të Zvicrës, "Unia”. 
Në një komunikatë të saj të dërguar për media, sindikata "Unia” bën të ditur se sipas vendimit më të ri të Gjyqit Federal, vendimi i Qeverisë së Zvicrës për ndërprerjen e Marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë – është i paligjshëm. Dhe, lidhur me këtë vendim, Marrëveshja mbi Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë duhet të vlejë me zbatim retroaktiv, nga dita kur është ndërprerë. Një lajm të tillë e kanë marrë edhe në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Kryetari i saj, Haxhi Arifi tha të dielën për Express se Sindikata e Bashkuar e Zvicrës e kanë njoftuar Sindikatën në Kosovë me vendimin e Gjyqit Federal. Ky lajm, sipas Haxhi Arifit, është i mirë në radhë të parë për vetë përfituesit, por edhe për shtetet e tjera që kanë marrëveshje me ish-Jugosllavinë. "Ky vendim u jep konotacion pozitiv shteteve të tjera perëndimore, të cilat kanë pasur marrëveshje me ish-Jugosllavinë në lidhje me pensionet”, tha Arifi për Express.

Ai sqaroi se BSPK-ja bashkë me Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale dhe ambasadorin e Kosovës në Zvicër, kanë punuar pareshtur për këtë çështje. "Por një meritë të veçantë ai thotë se e ka sindikata e Zvicrës”, tha Arifi për Express. Por më meritorët për këtë vendim janë vetë qytetarët e Kosovës, përfitues të pensioneve nga Zvicra. Të paktën kështu mendon ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Edhe pse Rashiq nuk ishte i njoftuar me vendimin e mirë, pasi që ndodhet në një udhëtim zyrtar në Vjenë, ai tha se vendimi i Gjyqit Federal ua kthen të drejtën qytetarëve të Kosovës.

"E kemi pritur një gjë të tillë, por për këtë meritat i kanë vetë pensionistët, të cilët i kanë çuar kërkesat e tyre deri edhe në gjykatë”, tha Rashiq për Express. Ky ministër tha se të njëjtën problem, Kosova e ka edhe me shtetet e tjera dhe sipas tij, ato tash duhet që kompetencat që i kanë pasur me marrëveshjen me ish-Jugosllavinë, ta vazhdojnë me Qeverinë e Kosovës. "Kjo është një çështje teknike dhe ne duam vetëm që t’i vazhdojmë dokumentet”, tha Rashiq.

Qeveria zvicerane në dhjetor të vitit 2009, kishte marrë vendim për ndërprerjen e pagimit të pensioneve në Kosovë, duke filluar nga 1 prilli 2010. Në këtë mënyrë ajo ishte përcaktuar për mos vazhdimin e Marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore me ish-Jugosllavinë në raport me Kosovën. Ndërsa me vendimin e Gjyqit Federal si instanca e fundit vendimmarrëse të publikuar më 14 tetor 2011, bëhet përfundimisht e qartë.

"Rruga e ndjekur nga Qeveria zvicerane ishte joligjore", shkruan më tutje në komunikatën e sindikatës "Unia” që i referohet vendimit të Gjyqit Federal. "Sindikata ‘Unia’ e ka luftuar që nga fillimi këtë vendim diskriminues të Qeverisë zvicerane dhe ndjehet e kënaqur me vendimin e instancës më të lartë gjyqësore të Zvicrës. Ajo kërkon shfuqizimin e vendimit qeveritar dhe zbatimin retroaktiv të Marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore me Kosovën", thuhet në komunikatë.

UNIA

Gjyqi Federal me vendimin e datës 27 shtator 2011, nuk merr parasysh apelimin e Entit Federal për Sigurimet Shoqërore duke vërtetuar kështu vendimin e instancës paraprake të Gjyqit Administrativ Federal, i cili më 7 mars 2011, pati vendosur se Marrëveshja mbi Sigurimet Shoqërore me Kosovën duhet të zbatohet edhe më tej, dhe se mosvazhdimi i zbatimit të Marrëveshjes mbi Sigurimet Shoqërore është në kundërshtim me ligjin.

Me këtë bëhet e qartë se Qeveria duhet të rishqyrtojë vendimin diskriminues dhe të marrë vendim për vazhdimin retroaktiv të marrëveshjes në fjalë. Sindikata ‘Unia’ kërkon fillimin pa vonesë të bisedimeve për Marrëveshje të re mbi Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, raporton Albinfo.

Sindikata ‘Unia’ pati kritikuar vendimin qeveritar të Zvicrës për mosvazhdimin e marrëveshjes, e cila pamundëson eksportimin të përfitimeve nga sigurimet shoqërore Në vazhdën e angazhimeve të saj, sindikata ‘Unia’ bashkë me organizatat e tjera pati grumbulluar disa mijëra nënshkrime për një peticionin, të cilin ua ka dorëzuar të dy qeverive në muajin maj 2010. Po në muajin maj, një delegacion i udhëhequr nga ‘Unia’ ka zhvilluar aktivitete gjithandej për gjetjen e zgjidhjeve solide.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus