Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni tash politikën e jashtme të Kosovës e sheh si të çakorduar tërësisht, ndërkohë deklaratat e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj që Kosova mund të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë këtij viti i quan qesharake. Kritikat e kryeministrit, Hashim Thaçi ndaj Brukselit, ai më shumë i sheh si mllef të kryeministrit ndaj Brukselit, e që, sipas tij, kjo nuk është aspak e shëndetshme politikisht. Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress, Hyseni ka thënë se do të donte që politikën e jashtme të Kosovës ta shihte më të koordinuar, por një gjë e tillë nuk po ndodh. "Do të doja të shihja më të koordinuar, më të përqendruar. Fatkeqësisht nuk është kështu. Është e shpërqendruar dhe çakorduar tërësisht. Kjo vjen si pasojë e shumë eksponentëve në politikë të jashtme, shumë të ngarkuarve në politikë të jashtme dhe për rezultat kemi pas një defaktorizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të ministrit të jashtëm. Fatkeqësisht, Ministria e Punëve të Jashtme e ka reduktuar aktivitetin tërësisht në organizimin e një tip konference që për pikëpamjen time janë konferenca karikaturë që nuk i ndihmojnë asgjëje”, ka thënë Hyseni.Ndërkohë, shpesh kemi parë që kur vjen një njohje e Kosovës, këshilltarët e zëvendëskryeministrit, Pacolli dhe ministrit Hoxhaj dalin për të njoftuar se ka ardhur një njohje, gjithnjë duke e pretenduar njohjen si meritë të shefit të tyre. Këtë veprim, ish-shefi i diplomacisë kosovare, Hyseni e sheh si një pasqyrë të keqe tek ndërkombëtarët, andaj kërkon më shumë përgjegjshmëri nga këta zyrtarë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus