Kryesore » 2012 » Maj » 25 » Hoça e Madhe do të bëhet me rrugë të ndriçuara dhe park të ri
10:07 PM
Hoça e Madhe do të bëhet me rrugë të ndriçuara dhe park të ri
Hoça e Madhe do të bëhet me rrugë të ndriçuara dhe park të ri. Kjo u bë e ditur në vizitën që ambasadori amerikan Kristofer Dell, i shoqëruar nga zv. kryeministri i Republikës së Kosovës, Sllobodan Petroviç dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Tomiç, i bën fshatit me shumicë serbe, me ç’rast, me kryetarin e Komunës së Rahovecit Smajl Latifajn, kanë nënshkruar dy projektet në fjalë.Delegacioni nga Prishtina së pari ka vizituar Komunën e Rahovecit, ku është pritur nga kryetari Smajl Latifaj.Cristopher Dell dhe Slobodan Petrovic në mënyrë simbolike janë solidarizuar me nismën "Ta pastrojmë Kosovën”, duke marrë pjesë kështu në aksionin e organizuar nga nxënësit rahovecianë për pastrimin e oborrit të Komunës.Më pas, të gjithë së bashku i janë drejtuar fshatit Hoçë e Madhe, ku kanë vizituar disa prodhues të verarisë në këtë fshat.

Ambasadori amerikan Dell është shprehur i kënaqur me implementimin e Ligjit për Hoçën e Madhe, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës ditë më parë.

"Natyrisht që ka kushte për kthim të qëndrueshëm. Ne jemi këtu në një fshat i cili është në lulëzim e sipër ku po shohim popullatën e cila është duke punuar dhe duke vënë produktet e veta dhe po tregon se mund të jetohet prej tokës dhe prej verës, pra ka gjasa për kthim të qëndrueshëm”, ka thënë Dell.

Pasi që janë njoftuar me problemet dhe hallet e këtyre banorëve, zv.kryemistri dhe njëherësh ministër i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifaj, kanë nënshkruar dy projekte për Hoçën e Madhe.

Sllobodan Petroviç, pas nënshkrimit të këtyre dy projekte, është shprehur i kënaqur dhe ka falënderuar ambasadorin Dell dhe kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifajn, për mbështetjen e tyre dhënë banorëve të Hoçës së Madhe.

"Në vazhdën e marrëdhënieve të mira ne sot i nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme. Njëri projekt ka të bëjë me ndriçimin e rrugëve në fshatin Hoçë e Madhe dhe projekti i dytë ka të bëjë me riparimin e parkut në Hoçë. Ministria për Kthim dhe Komunitete gjithashtu sot do t’u shpërndajë gjashtë familjeve materialin për shtëpitë e tyre dhe po ashtu kemi rastin që sot t’ju tregojmë me disa shembuj shumë të mirë se jemi shumë të interesuar për të përmirësuar jetën e qytetarëve në këtë rajon”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se dy projektet të cilat do të realizohen në këtë fshat, do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së këtyre banorëve. Ai ka shtuar se me banorët serbë të këtij fshati asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus