Kryesore » 2012 » Dhjetor » 3 » Hetohet Tenderi Që e Fitoi Miku i Beqajt
8:09 PM
Hetohet Tenderi Që e Fitoi Miku i Beqajt
Kundër-Korrupsioni ka marrë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dokumente që lidhen me një tender që e fitoi një afarist i cili në të kaluarën kishte relacione biznesi me kreun e kësaj ministrie Besim Beqaj. 
Një afarist i cili zyrtarisht kishte lidhje biznesi në të kaluarën me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, nënshkroi me Qeverinë e Kosovës një kontratë publike në mars të këtij viti e cila është bërë tash subjekt hetimi. Agjencia Kundër-Korrupsion (AKK) është duke kryer hetime për mënyrën se si doli fituese kompania e shërbimit të udhëtimeve "MCM”, pronë e Milazim Zeqirajt, në tenderin për shërbime udhëtimi të MZHE-së. Lënda për hetimet e nisura për korrupsion në këtë ministri planifikohet të dërgohet në EULEX pas përmbylljes së hetimeve administrative. 

Drejtori i Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Preteni, konfirmoi se hetimet rreth këtij rasti janë duke vazhduar, por nuk specifikoi veprat se për çfarë dyshohen zyrtarët e MZHE-së që e kanë dhënë kontratën.

"Është në fazën e hetimeve. Nuk mund të them asgjë më shumë për këtë”, tha Preteni për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kundër-Korrupsioni, në mars të këtij viti, pati konfirmuar se do të niste një hetim rreth këtij rasti.

Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit Beqaj, tha se MZHE-ja ka dërguar në Kundër-Korrupsion informatat e dokumentet e kërkuara nga kjo agjenci. "Lidhur me çështjen konkrete, MZHE bashkëpunon ngushtë dhe i është përgjigjur të gjitha kërkesave të Agjencisë Kundër-Korrupsion për dërgimin e dokumenteve dhe informatave të nevojshme”, tha Baxhaku.

Baxhaku vlerësoi se ky veprim nuk mund të quhet një hetim i nisur ndaj MZHE-së. "Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk është informuar zyrtarisht për ndonjë rast të hapjes së hetimeve ndaj saj nga ana e Agjencisë Kundër-Korrupsion”.

Ai shtoi se deri më tash "asnjë zyrtar i MZHE-së nuk është marrë në pyetje lidhur me kontratën e shërbimeve të udhëtimit”.

Baxhaku tha se procedurat e tenderimit në MZHE zhvillohen sipas dispozitave ligjore dhe konform ligjit.

"… dhe ketë me se miri e vërteton fakti se Auditori i Përgjithshëm sivjet nuk ka dhënë asnjë vërejtje lidhur me to”, shtoi ai.

Në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, i publikuar verës e që i referohet vitit 2011, konstatohet se në MZHE nuk është gjetur ndonjë shkelje e Ligjit të Prokurimit Publik.

Ministri Beqaj, në maj të vitit 2009, atëkohë kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, bashkë me një grup afaristësh tjerë, kishin hapur një kompani ndërtimi me emrin "Koing”.

Veç Milazim Zeqirajt të kompanisë MCM, hisedarë në atë kompani ishin edhe Ekrem Lluka pronar i kompanisë "Dukagjini”, Xhevat Jusufi pronar i kompanisë "Buqaj” si dhe Fatmir Krasniqi.

Leonita Shabani, tash këshilltare e Beqajt, ishte person i autorizuar i kompanisë.

Beqaj më herët kishte deklaruar se kompania nuk kishte pasur afarizëm ekonomik dhe ishte mbyllur me t’u emëruar në pozitën e Ministrit për Integrime Evropiane në fillim të vitit 2010.



Si u zhvillua tenderi?

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, MZHE-ja, në tenderin për furnizim me bileta udhëtimi me aeroplanë, ka shpallur fitues kompanitë Veneta Travel, Altavia Travel si dhe kompaninë MCM.

Më 13 shkurt ky tender ishte anuluar me arsyetimin se konkurrentët nuk kishin sqaruar më pas ofertat e tyre me çmimin më të lirë.

Më 15 shkurt të këtij viti, kjo ministri hapi për herë të dytë të njëjtin tender. Më 6 mars MZHE-ja publikoi Njoftimin për Dhënie Kontrate ku u shpall fitues vetëm kompania "MCM”.

"Shuma e përafërt e kontratës duke u bazuar në shpenzimet e vitit paraprak është 15.000 - 20.000 euro dhe lartësia e saj varet nga numri i udhëtimeve”, pati deklaruar zëdhënësi i MZHE-së, Gëzim Baxhaku.

Përzgjedhja e kësaj kompanie, sipas tij, ishte bërë në bazë të kushteve të ofruara për
kontratë e jo në bazë të ndikimeve tjera.

Kompania MCM nuk pati pranuar të komentojë rreth këtij rasti. Këtë nuk e kishte bërë as Altavia Travel që humbi në garë.

Por, një konkurrent tjetër Ilaz Beqiri, pronar i "Veneta Travel”, kishte deklaruar se kishte pasur kurdisje të tenderit.

MZHE-ja, sipas tij, kishte futur një kriter të ri në tenderin e dytë i cili nuk ishte ishte kërkuar herën e parë.

"Veneta Travel dhe kompani tjera në Kosovë janë pjesë e IATA-s që është një organizatë që menaxhon marrëdhëniet mes avio-kompanive dhe agjentëve të shitjes së biletave. Kur je pjesë e kësaj organizate nuk ke nevojë të jesh përfaqësuese e një aviokompanie. Problemi qëndron në atë se MCM është përfaqësues i një avio-kompanie dhe kjo kërkesë ka dalë si ide e tyre për t’i rrëzuar kompanitë tjera”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë në tenderin e parë "Veneta Travel” kishte kërkuar 77 centë fitim për biletë. "Altavia Travel”, sipas tij, kishte kërkuar 2 euro e 48 centë ndërsa "MCM” kishte kërkuar 6 euro për biletë.

Në tenderin e dytë, MCM ka kërkuar shumëfish më pak. Nga 6 euro sa kishte kërkuar herën e parë, sipas tij, në tenderin e dytë MCM ka kërkuar 10 centë fitim në një biletë.

"Dyshoj se këtu ka manipulime. Dikush i ka treguar se si të ofertojë për të fituar e për t’i eliminuar të tjerët në tenderin e dytë", pati deklaruar Beqiri.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus