Shumë policë u lënduan nga serbët e revoltuar të Serbisë. Edhe pse viktimë, aktin ndaj tyre pak kush e dënoi. Madje ata mund të përballen edhe me sanksione tjera ligjore e penale. Inspektorati i Policisë ka filluar hetimet ndaj tyre, por edhe ndaj shefave që planin për "Vidovdan” e kanë bazuar në policët që kishin nga një pistoletë e një kapele. Dikush ka të thyer dorën, dikush është i lënduar në kokë, e ka nga ata që ndoshta do të vuajnë plagët e shkaktuara në ekstremitet për tërë jetën.Këta janë rreth tridhjetë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të sulmuar tre ditë më parë nga serbët e revoltuar në Merdarë, në pikën kufitare që ndan Kosovën me Serbinë. Ata u gjetën në befasi kur serbët e revoltuar, pasi festuan "Vidovdanin” në Kosovë, nga zona neutrale e kufirit sulmuan me gurë e mjete të ftohta Policinë e Kosovës.
Por, të gjitha lëndimet që policët i morën, ndonëse qëndruan aty, edhe pse nuk ishin të pajisur me mjetet e nevojshme, kjo sikur nuk do të mjaftojë për ta.
Përveç që dhunën ndaj tyre të ushtruar nga serbë të ardhur nga Serbia pak kush e përmendi apo e dënoi, tash ata duhet të ballafaqohen me ligjin.
Derisa vetëm katër ditë më vonë, plagët e marra në përpjekje për të mbrojtur pikën kufitare ndoshta edhe kanë nisur t’i harrojnë, ata janë nën ankth për diçka tjetër.
Hetimet ndaj tyre kanë filluar
Për ta ekziston edhe mundësia që ta humbasin punën. E më e keqja, ka mundësi që të ndiqen edhe panlisht.
Krejt këto varen nga rezultatet e hetimeve të Inspektoratit të Policisë.
Inspektorati i Policisë së Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të vërtetuar se çfarë në të vërtetë ka ndodhur atë ditë në Merdarë.
Sinjalet e para negative ndaj policëve sikur kanë filluar.
Shumë prej tyre u janë marrë pistoletat që kishin, ndërkohë që disa prej pjesëtarëve të policisë kufitare u janë marrë edhe AK-47.
Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit për Hetime në kuadër të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, e konfirmon për Express se hetimet për këtë rast kanë nisur.
"Rasti është në proces të hetimit. Se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, do të varet nga hetimet dhe balistika”, thotë Aliu për Express.
Sipas tij, për fillimin e hetimeve në lidhje me këtë incident janë njoftuar edhe prokurori i EULEX’it dhe ai vendor, të cilët janë duke marrë pjesë në këtë rast.
"Lëndimet e policëve do të merren parasysh ashtu siç do të merren parasysh edhe hetimet se kush ka provokuar”, thotë ai.
Duke besuar se ndoshta hetimet e Inspektoratit do të përfundojnë brenda muajit, Aliu shpjegon se edhe shefat e policëve nuk do të harrohen.
Në këtë rast, sidomos ata që kanë hartuar planin ku qindra serbë të revoltuar ishte planifikuar të shoqërohen vetëm nga policë, të cilët përveç një pistolete dhe një kapele, s’kishin asgjë tjetër.
"Nëse hetimet gjejnë elemente që tregojnë se plani përkatës nuk është bërë si duhet, atëherë ne i bëjmë rekomandime Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe pastaj varet nga ai se çfarë masash mund të ndërmarrë”, shpjegon Jetullah Aliu.
Ngjarja ka ndodhur të enjten në orën 5 të mëngjesit, kur një grup prej 70 vetash ka hyrë nga veriu i Mitrovicës në jug të qytetit pa paralajmërim.
Ata më pas janë ndaluar në Vushtrri nga policia e më pas janë dërguar në Merdarë për t’u kthyer prapa.
Mirëpo, të zemëruar nga kjo, serbët kur kanë kaluar zonën kufitare në Merdarë, kanë sulmuar Policinë e Kosovës me gurë, me ç’rast kanë lënduar 32 prej tyre.
Me atë rast, nëntë prej tyre janë trajtuar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Shukri Krasniqi,(1968), Mujë Podvorica,(1961), Eset Gjata, (1964) Burim Merovci(1982),Faton Haliti(1965), Mentor Bajrami, Nexhmedin Feta,(1973)Raif Rama,(1967) dhe Besim Krasniqi,(1967) ishin dërguar në QKU për trajtim.
Përveç në QKU, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe shumë policë tjerë në Shtëpinë e Shëndetit në Podujevë.
Nga gjuajtjet me gurë dhe shishe lëndime të lehta ka marrë edhe komandanti i stacionit Isak Ejupi dhe zëvendësi i tij Naim Latifi.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Podujevë, Zaim Thaçi kishte deklaruar për Express se në këtë institucion ndihmë kanë kërkuar gjithsej 34 policë të Kosovës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus