Çështja e dyshimeve për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës në Kosovë, e cila në vitin 2010, tronditi opinionin publik në vend, rajon dhe botë duket se do të riaktualizohet sërish këtë javë.Raporti i hetimeve të bëra nga task forca speciale për akuzat që dolën nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, do të jetë pjesë e raportit për Kosovën, të cilin do ta prezantojë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit.Megjithatë, nuk dihet saktësisht se çfarë do të përmbajë raporti që hyn në kuadër të raportit të zakonshëm të punës së misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe se a do të zë vend të diskutimet që do të zhvillohen në OKB.Zëdhënësi i task forcës për hetime speciale i EULEX-it, Juri Las, i tha Radios Evropa e Lirë se hetimi i udhëhequr nga prokurori amerikan, Klint Uilliemson, është ende në fazën e mbledhjes së informatave.
"Aktualisht task forca është në procesin e sigurimit të informatave nga një varg burimesh institucionale, duke analizuar këto informata dhe duke kryer aktivitetet hetuese”, u shpreh ai.
Task forca speciale e EULEX-it për hetimin e akuzave që flasin për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së 1999-s u pat themeluar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa në në muajin tetor në krye të task forcës u emërua prokurori Uilliemson.
Ky i fundit pat qëndruar në Kosovë, Shqipëri e Serbi përgjatë muajve të kaluar për të mbledhur informata rreth akuzave që përfshijnë luftëtarët të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që apostrofojnë edhe emrin e kryeministrit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.
I pyetur për aktivitetet e radhës së task forcës hetuese, Las u shpreh:
"Zoti Uilliemson vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën para dy javësh. Në javët e ardhshme ka gjasa që ai ta vizitojë sërish Beogradin”, tha Laas.
Zyrtarët e shtetit serb kishin kërkuar vazhdimisht që çyshtja e akuzave të Dik Martit të dërgohet për shqyrtim në instancat vendimmarrëse të OKB-së.
Në ndërkohë, mësohet se është kompletuar ekipi i hetuesve ndërkombëtarë të task forcës speciale, por thuhet se sipas nevojës atij mund t’i bashkëngjiten prokurorë të tjerë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus