Kryesore » 2012 » Maj » 20 » Hapen vendvotimet e zgjedhjeve serbe në Kosovë
12:07 PM
Hapen vendvotimet e zgjedhjeve serbe në Kosovë
Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e Serbisë, në Kosovë po organizohet nga ana e OSBE-së, ashtu siç ishin pajtuar paraprakisht Qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd. Misioni i OSBE-së ka njoftuar se të gjitha vendvotimet, gjithsej 90, të mundësuara nga ky mision, janë hapur sot në Kosovë në ora 07:15."Kam kënaqësinë të raportoj për hapjen me kohë të të gjitha vendvotimeve këtë mëngjes”, citon komunikata e lëshuar nga Zyra për Informim, shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer. Për t’u njoftuar nga afër me ecurinë e këtyre zgjedhjeve, ambasadori Almhofer ka vizituar një qendër votimi në Graçanicë.Nga aspekti i sigurisë, për mbarëvajtjen e zgjedhjeve po përkujdeset edhe Policia e Kosovës. Një kujdes i shtuar po u kushtohet sidomos viseve të banuara me popullatë të përzier.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se Policia e Kosovës ka një plan veprimi enkas për këto zgjedhje. Deri më tani, nga aspekti i sigurisë, ai ka konfirmuar se nuk është shënuar asnjë incident dhe se sipas tij, nuk ka indikacione që mund të ketë ndonjë tensionim apo përshkallëzim të situatës.

"Që nga orët e hershme të mëngjesit i kemi ofruar asistencën e nevojshme OSBE-së me përcjelljen e materialit zgjedhor deri në qendrat e votimeve, në gjithsej 13 lokacione të votimeve. Policia e Kosovës do të jetë prezente për të ofruar sigurinë, e veçanërisht shtimin e prezencës në zonat e banuara me popullatë të përzier për të evituar çfarëdo lloj eksesi të çfarëdo lloj karakteri”, ka bërë të ditur Hoti.

Më 6 maj, po nën organizimin e OSBE-në territorin e Kosovës u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare, përderisa ato lokale, nuk kishin mbështetjen ndërkombëtare, kështu që ato u zhvilluan vetëm në dy komuna veriore të populluara me shumicë serbe nën organizimin e strukturave paralele serbe që veprojnë atje.

Gjetja e formulës për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kosovë përmes misionit të OSBE-së ishte mirëpritur nga qeveria e Kosovës dhe ishte përshëndetur nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, përderisa është kundërshtuar nga opozita në Prishtinë e cila ka vlerësuar se në këtë formë, autoritetet e Prishtinës po legjitimojnë strukturat e Serbisë brenda territorit të Kosovës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus