Kryesore » 2012»Maj»20 » Hajnat vodhën tri palë dyer të hekurta në Ulpianë
12:09 PM
Hajnat vodhën tri palë dyer të hekurta në Ulpianë
Hajnat vodhën tri palë dyer të hekurta te hyrjet e Soliterëve të Ulpianës. E gjithë kjo ndodhi në pikë të ditës, kur banorët po silleshin andejpari. Disa e panë ngjarjen, por menduan se Komuna po i merr ato për t’i rregulluar. Përfaqësuesit e ndërtesës pohojnë se e lajmëruan rastin në polici, por i akuzuan këta të fundit se nuk po merren me këtë punë. Policia i kundërshton këto pohime.Ka ndodhur shpesh që hajnat e gjerave të hekurta t’i vjedhin pusetat e qytetit, binarët e trenit apo edhe çdo objekt tjetër që është i përbërë prej hekuri. Por nuk ka ndodhur kurrë, që të vidhen dyert e një ndërtese kolektive. Pikërisht kjo ka ndodhur para pak ditësh Te Soliterët në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Për t’i rikthyer portat e tyre, banorëve u ka mbetur vetëm një zgjidhje. Të shkojnë në hekurishte e t’i identifikojnë ato, pasi thonë se policia nuk ka bërë asgjë deri tash. Për një ditë të vetme, tri ndërtesa kanë mbetur pa dyert e hyrjeve kryesore. Banorët aty, ranë viktimë e një aksioni të hajnave të hekurit, të cilët nuk morën gjëra të vogla e pa vlerë. Cak i tyre të hënën ishin portat e mëdha të hekurit, të cilat sipas banorëve të lagjes, peshojnë hiç më pak se 100 kilogramë. E, një hajni e tillë nuk ndodhi vetëm në njërën prej ndërtesave që ndodhen Te Fontana në Ulpianë. Të hënën, që të tre soliterët e mëdhenj aty, mbetën pa dyert kryesore të hyrjes. E vetmja gjë që hajnat nuk arritën t’i vjedhin, ishin kornizat. Kjo është e vetmja shenjë, e cila tregon që dikur aty ishin të sistemuara disa dyer që mbrojnë hyrjen e ndërtesës, por që nuk janë më, prej ditës kur dikush i nxori prej vendit, e nuk i ktheu më.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus