Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja, në Francë. I tronditur nga kjo humbje e madhe, ministri Hoxhaj, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës. "Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj. Poeti Ali Podrimja ka humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë "Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodeve.
Autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në ndriçimin e këtij rasti.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus