Bordi Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, nuk e ka aprovuar dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit ekzekutiv të kësaj shoqatë, Gani Thaçi, pasi që kontributi i tij në shoqatë është konsideruar si i domosdoshëm në këtë proces.Gani Thaçi ka kërkuar 6.000 euro pagë, si kusht për të vazhduar punën si drejtor Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.Javën që lamë pas Gani Thaçi, cili është vëlla i kryeministrit të Kosovës, i ka paraqitur bordit të shoqatës dorëheqje nga kjo pozitë, por një kërkesë e tillë nuk është aprovuar edhe nga bordi i Shoqatës. Gazeta ka provuar që me telefon ta kontaktojë Gani Thaçin, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Ndërkaq, në anën tjetër Rrahim Pacolli, kryetar bordi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve ka konfi rmuar se bordi i shoqatës që drejton ai nuk e ka aprovuar dorëheqjen e parevokueshme të drejtorit Thaçi.
"Është e vërtetë që ai javën që lamë pas ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Shoqatës, por bordi nuk e ka pranuar kërkesën e tij për dorëheqje, pasi që kontributi i tij në shoqatë është mëse i domosdoshëm”, tha ai.
Por, burime të besueshme të gazetës brenda Shoqatës thonë se një nga arsyet pse drejtori Gani Thaçi ka ofruar dorëheqjen ka qenë paga.
"Drejtori ka kërkuar që paga e tij të rritet nga 4.000 euro, sa e ka tash, në 6.000 euro. Kjo ka qenë një nga arsyet pse drejtori Thaçi i ka ofruar dorëheqjen bordit të shoqatës”, tha burimi i besueshëm i gazetës brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Por, një gjë të tillë e mohon Pacolli. Ai thotë se dorëheqja është bërë për arsye personale. "Nuk është e vërtetë që drejtori ka kërkuar t’i rritet paga për 2.000 euro”, ka thënë Pacolli nëpërmjet telefonit.
Përndryshe, Gani Thaçi ka më shumë se tre vjet që ka punuar si zëvendësdrejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës. Por, vetëm një javë pasi ishte bërë drejtor ai kishte ofruar dorëheqjen e të cilën nuk ia ka aprovuar bordi i kësaj shoqatë që kryesohet nga Rrahim Pacolli.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus