Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Gani Geci, pretendon se ka dëshmi që anëtari i Kryesisë së PDK-së, Azem Syla, e ka paguar vrasjen e tij me 200 mijë marka gjermane. Siç thotë ai, kjo ka ndodhur diku në vitin 2001. Me këtë rast, sipas tij, ka kohë që është e njoftuar Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, mirëpo incizimin e dëshmisë thotë se nuk e ka dorëzuar tek Prokuroria. Në një intervistë të gjatë për "Kohën Ditore”, Geci thotë se ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, që tash është deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk mund të "pastrohet” me familjen Geci vetëm përmes ligjit të shtetit, por edhe përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit. I kërkon atij që t’i mbledhë 48 pleq në Kullën e Rifat Jasharit në Prekaz dhe aty të betohet se nuk ka gisht në atentatin që është bërë ndaj tij, e ku kanë mbetur të vrarë edhe Bekim Kastrati e Besim Dajaku. Ish-kryetari i Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, tregon se personalisht e ka njoftuar kryeministrin Hashim Thaçi se Nazim Bllaca do të dilte publikisht për ta pranuar se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut dhe se ka marrë pjesë në vrasje dhe kidnapime. Thotë se Thaçi është pajtuar me publikimin e DVD-së së Bllacës duke thënë "kush çka ka bërë, ka për ta gjetur”. Geci në intervistë rrëfen se si është shpëtuar ish-presidenti Ibrahim Rugova gjatë një sulmi të organizuar në Prishtinë, e po ashtu tregon për marrjen në pyetje në Shtabin e TMK-së të ish-këshilltarit të Rugovës, Adnan Merovci. I sqaron raportet që i ka pasur me Ramë Marajn dhe jep detaje të bisedave që ka zhvilluar me Fatmir Limajn, Adem Grabovcin e Bislim Zyrapin. Geci flet edhe për përpjekjet e tij që të zbardhen dosjet e SHIK-ut. Intervistën të plotë lexojeni sot në gazetën /Koha Ditore/
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus