Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës ka reaguar të premten lidhur me mënyrën e aprovimit të Ligjit për shëndetësi nga ana e një numri deputetësh. "Ne si organizatë sindikaliste, me kohë e kemi ngritur zërin lidhur me pasojat për popullatën e Kosovës që do t’i sjellë ky ligj, por si duket ata që kanë votuar, më së paku kanë menduar për popullin, e më shumë për kalkulime të mbrapshta politike”, thuhet në reagimin e kësaj federate, e cila akuzon elitën politike të Kosovës se është e çorientuar, e shantazhuar, pa vetëdije personale politike, që, si pasojë, me kontributin e vet e shtyp demokracinë, mendimin e pavarur dhe të lirë dhe "në këtë mënyrë voton ligje që janë në kundërshtim me interesat e këtij populli, me ligjet në fuqi dhe kartën e të drejtave të njeriut”. Kjo federatë bën të ditur se ky ligj është miratuar pa ligj për sigurime shëndetësore. "...Pasojat e këtij ligji do të shihen dhe shijohen shumë shpejt, e këto do të jenë: shitja apo dhënia me koncesion e institucioneve publike shëndetësore, në emër të partneritetit publiko- privat (praktikë e dështuar në vendet e rajonit dhe më gjerë), shkatërrimi përfundimtar i sistemit publik shëndetësor, degradimi i skajshëm i profesionalitetit, personalitetit, dinjitetit të personelit shëndetësor vendor, rritjes së informalitetit dhe korrupsionit në shëndetësi...”.
Po ashtu, thuhet se ky ligj do të bëjë eliminimin e qëllimshëm të konkurrencës së shëndoshë në mes të sistemit privat dhe publik shëndetësor. Kjo federatë ka paralajmëruar se do t’i drejtohet presidentes, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit dhe instancave tjera, përfshirë ato evropiane dhe botërore për shkelje të të drejtave të njeriut. A.K.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus