Kryesore » 2012»Prill»16 » Familja e Diana Kastratit e dërgon në Kushtetuese tërë sistemin gjyqësor
3:04 PM
Familja e Diana Kastratit e dërgon në Kushtetuese tërë sistemin gjyqësor
Prindërit e Diana Kastratit, e cila është vrarë para një viti në Prishtinë, do t’i drejtohen kësaj të marte Gjykatës Kushtetuese me qëllimin që rasti i vajzës së tyre të mos i ndodhë më asnjë familjeje tjetër kosovare. Ata duan të konstatojnë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese nëse sistemi i drejtësisë në vend ka funksionuar te rasti i vajzës së tyre, dhe nëse jo, kush është përgjegjës për këtë mosfunksionim, shkruan sot "Koha Ditore”. Pak ditë para se të vritej, Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje institucionale nga shteti, mbrojtje kjo që sipas familjarëve nuk është ofruar dhe për me tepër as përgjigje nuk i është kthyer në kërkesën e parashtruar nga e ndjera Diana.
Adresimi i lëndës së prindërve të Diana Kastratit në Gjykatën Kushtetuese do të bëhet përmes iniciativës ‘Drejtësia dhe qytetarët’. Në një njoftim të shpërndarë për media nga kjo iniciativë thuhet se rasti i Diana Kastratit dhe qasja e institucioneve kundruall këtij rasti paraqet shembull tipik të shpërfilljes së qytetarëve nga ana e sistemit të drejtësisë në vend.
"Ky rast ka të bëjë me shkeljen e të drejtave individuale të së ndjerës Diana Kastrati dhe, tërthorazi, edhe të prindërve të saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokolleve të saj”, thuhet në njoftimin që iniciativa ‘Drejtësia dhe qytetarët’ ka drejtuar për media. Sipas po këtij njoftimi, dispozitat ligjore në vend e obligojnë Gjykatën Komunale të Prishtinës, si dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës të japin përgjegjësi në këto raste. "Bazuar në Ligjin nr. 03/L-182 për mbrojtje nga dhuna në familje, Gjykata Komunale në Prishtinë ka qenë e obliguar që të trajtonte kërkesën e Diana Kastratit për urdhër për mbrojtje emergjente në afat prej 24 orësh nga momenti i paraqitjes. Kjo gjykatë ka dështuar të bënte një gjë të tillë, duke rezultuar me shkeljen e të drejtave individuale të përmendura më lart, e për më tepër, me vrasjen mizore të së ndjerës Diana Kastrati”, thuhet më tutje në njoftimin e shpërndarë për media nga iniciativa "Drejtësia dhe qytetarët”, teksa jepet paralajmërimi për adresimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa e Gëzim dhe Makfire Kastratit, së bashku me të gjitha provat e nevojshme, do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese në ditën e martë, më 17 prill 2012, në orën 10:00
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus