Kryesore » 2012 » Dhjetor » 8 » E padisin Feridin
1:41 PM
E padisin Feridin
Një vendim i nxjerrë nga ana e tij në shtator të këtij viti ka bërë që ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, ta padisin në Gjykatën Supreme të Kosovës. Padia ka ardhur nga disa kolegë të Aganit, që janë mjekë të lëmenjve të ndryshëm.Vendimi që e ka siguruara gazeta "Express” ka të bëjë me barasvlerësimin e përvojës profesionale pesëvjeçare me titull akademik Doktor Shkence dhe të përvojës profesionale më shumë se shtatë vjet me titull akademik Magjistër i Shkencave për profesionistët shëndetësorë që kanë punuar ose punojnë në institucionet publike shëndetësore.Ky vendim është nxjerrë nga ministri Agani më 18 shtator të këtij viti.

Por, për të kundërshtuar këtë vendim, gjashtë mjekë kanë deponuar një padi në Gjykatën Supreme të Kosovës duke e kundërshtuar vendimin, të cilin ne quajnë të pabazuar ligjërisht.

Mjekët që kanë ngre këtë padi janë: Skënder Talaku, Gani Bajraktari, Daut Gorani, Agim Krasniqi Nehat Rexhepi dhe Nebih Musliu.

Gazeta ka kontaktuar me Talakun, i cili këtë vendim e ka quajtur skandaloz.

"Barasvlerësimi i përvojës, siç e ka bërë ministri me vendim, i bie që dikush që nuk e ka kryer subspecializimin, i jepet kjo gradë ose më thjesht i falet. Do të thotë se me këtë rast p.sh. një internist mund të bëhet kardiolog ose një internist mund të bëhet gastroeneterolog ”, thotë Talaku.

Ai ka thënë se nuk e di se nga kush ka mundur të vjen një kërkesë e tillë për nxjerrjen e këtij vendimi, por thotë se vendimi si i tillë nuk është brenda kornizave ligjore.

Talaku ka thënë se as ai e as të tjerët nuk kanë asgjë kundër ministrit Ferid Agani, por kanë ndier obligim moral që vendimin e tij ta dërgojnë në Supreme.

"Falja e gradave, këtë rast specializimit ose subspecializmit, për mua është hajni. Është hajni sikur të tjerat. Por, kjo hajni është hajni më e rëndë që po bëhet nga intelektualët. MSh po u jep atyre një diplomë për të cilën nuk kanë kryer subspecizlizimet. Thjesht, po u falen”, ka vlerësuar ai.

Agani për nxjerrjen e këtij vendimi është mbështetur në nenin 92 dhe 93 të Ligjit për Shëndetësi nr. 2004-04 , shtojcën 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 10.2010 për regjistrimin dhe licencimin e profesionistëve shëndetësorë.

Ndërkohë, në arsyetimin e paditësve thuhet se paditësit, të pakënaqur me këtë vendim, ushtrojnë padi pranë Gjykatës Supreme - Kolegjit për konteste administrative, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës administrative, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale në dëm të paditësve.

Në arsyetimin e paditësve thuhet se vendimi i nxjerrë nga Ferid Agani është konfuz, i paqartë dhe tendencioz, si dhe i nxjerr në kundërshtim të plotë me aktet normative që rregullojnë këtë lëmi.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se MSH-ja ka qenë e ballafaquar me kërkesat e profesionistëve shëndetësorë të lëmenjve të ndryshëm specialistikë për qartësimin e pozitës juridike të tyre në relacion me profesionin mjekësorë që e kanë ushtruar.

"Ministria, pas konsultimeve intensive dhe bazuar në propozimin e Bordit Qendror për Regjistrim dhe Licencim të Profesionistëve Shëndetësorë, ka marrë vendimin përkatës, i cili është mirëpritur në mënyrë plebishitare nga të gjithë profesionistët shëndetësorë, të cilët me vite të tëra kanë ushtruar veprimtarinë shëndetësore të lëmenjve të ngushta specialistike me licenca të kualifikimeve të përgjithshme profesionale, që kanë reflektuar periudhën e para disa dekadave në sistemin shëndetësor”, ka thënë Faik Hoti, drejtor i zyrës për informim në MSH`.

Ministria nuk është e ka të njohur një ankesë të tillë në Gjykatë dhe asnjëherë kjo çështje nuk ka qenë subjekt i shqyrtimit të saj, përndryshe do ta merrte përgjigjen përkatëse.

"Pretendimet për të lidhur një vendim, që është në favor të profesionistëve shëndetësorë me çështje të tjera në shëndetësi, janë të pavenda”, ka vlerësuar Hoti.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus