Kryesore » 2012 » Maj » 28 » E morën sa për ta liruar
3:14 PM
E morën sa për ta liruar
Derisa shumica e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë Misionin e BE-së për sundim të ligjit (EULEX) si të ngathët dhe të paefekt në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ky vlerësim të paktën nuk vlen për serbët e veriut. Këta të fundit konsiderojnë se EULEX-i po punon si "sahati”. Madje, efikasiteti i tyre në punë ka bërë që prokuroret e këtij misioni t’ua marrin nga "duart” prokurorëve vendorë lëndën e serboveriorit Jovica Milkjoviq dhe me procedurë të shpejtë ta lirojnë nga paraburgimi. Milkoviq, i akuzuar nga vendorët si person kyç në shkatërrimin e kontejnerit të vendosur nga policia një ditë pas shpërthimit tek "Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicën veriore, ku u vra Selver Haradinaj, është liruar më 25 maj me një vendim të prokurores së EULEX-it Neeta Amin. EULEX-i duke shfrytëzuar të drejtat ekzekutive që kanë mbi autoritetet vendore, lëndën e Milkoviqit e kanë marrë nga prokurorët komunalë vendorë të Mitrovicës më datën 23 maj dhe për këtë rast kërkesën për marrjen e rastit e kishte bërë hiç më pak se kryeprokurorja e EULEX-it Jaroslava Novotna. 

"Kur e pamë që EULEX-i e ka bërë kërkesën, e ditëm që ky mision po e merr këtë rast vetëm për ta liruar personin, i cili veç ishte në paraburgim që nga 17 maji”, thotë një zyrtar i prokurorisë në Mitrovicë me kusht anonimiteti.

Jovica Milkoviq është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi që këta të fundit kishin prova të mjaftueshme e madje edhe xhirime ku shihej fytyra e Milkoviqit si person kyç në shkatërrimin e kontejnerit të vendosur me urdhër të ministrit të Brendshëm të Kosovës Bajram Rexhepi.

Pas provave të mbledhura nga policia, lënda kishte shkuar në prokurorinë komunale të Mitrovicës, e cila vepron në qytetin e Vushtrrisë. Lënda ishte hetuar nga prokurori vendor Naim Beka.

"Për Jovica Milkoviqin ne patëm caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh pasi që i njëjti ka qenë i dyshuar për veprën penale të pjesëmarrjes në grup që pengon persona zyrtarë në kryerjen e detyrës dhe për veprën tjetër penale të dëmtimit të pasurisë së luajtshme”, ka sqaruar përmes telefonit ish-prokurori i rastit Naim Beka.

Nga këndvështrimi i Prokurorisë Komunale, Beka thotë se ka pasur prova të mjaftueshme që ai të mbahet në paraburgim por tashmë, sipas tij, lëndën e ka marrë EULEX-i dhe ia ka ndërruar masën nga paraburgimi, në lajmërim në stacionin policor.

"Ata e kanë marrë rastin, por nuk e kanë mbyllur atë por vetëm ia kanë zëvendësuar masën. EULEX-i i ka mundësitë dhe ligjin që në çdo kohë t’i marrin lëndët dhe këtë e kanë marrë”, thotë Beka duke qartësuar se Jovica Milkoviq sipas dokumenteve që posedon prokuroria, është punonjës i misionit të UNMIK-ut.

Prokurori Beka nuk dëshiron të komentojë për arsyet se pse EULEX-i e ka marrë lëndën ku person kyç është punonjësi i UNMIK-ut.

As EULEX-i të dielën nuk kanë komentuar përkitazi me këtë lëndë të cilën tashmë e ka në duar kryesorja e prokurorëve evropianë në Mitrovicë, Neeta Amin. Ndryshe nga herët e tjera kur për çdo aksion EULEX lëshon së paku kumtesë për media, këtë rast e ka mbajtur të heshtur, sikurse që nuk i ka komentuar arsyet e lirimit të tij.

Por, ky nuk është rasti i vetëm kur rastet sidomos të serbëve të asaj ane i merr EULEX e të dyshuarit më pas lirohen. Madje ky mision qe kritikuar kohë më parë edhe nga kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqeri Syla, i cili ka pohuar se mosgatishmëria e EULEX-it bën që të mos arrestohen serbët e dyshuar për vrasje e vepra të tjera penale. Për vrasjen e Enver Zymberit, prokuroria, sipas tij, ka pasur informacione se ku gjenden të dyshuarit, por mosgatishmëria e EULEX-it ka bërë që ata të mos kapen asnjëherë.

Për këto veprime, EULEX-i është kritikuar në vazhdimësi nga shoqëria civile në Kosovë të cilat duan ta shohin EULEX-in mision tamam për çfarë ka ardhur në Kosovë, Mision për sundim të ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës.

"Raste të arrestimeve dhe të lirimeve të mëpastajme nga ana e EULEX-it ka pasur shumë dhe në vazhdimësi. Rasti i fundit ku është liruar Jovica Milkoviq është tipik kur EULEX ua merr lëndën prokurorëve vendorë dhe e liron atë menjëherë”, thotë Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL.

Duke qenë mision për sundim të ligjit, Zogaj thotë se kjo lëvizje, por edhe shoqëria në përgjithësi, do të donte të shihte që vetë ky mision evropian respekton ligjin dhe jo të bëjë të kundërtën, siç po e bën.

"Madje, ky rast, sikurse edhe të tjerët, përpos që legjitimojnë shkeljet ligjore nga ana e njerëzve të papërgjegjshëm, më shumë se kjo i stimulon ata që të sfidojnë institucionet në vend. Për këtë shkak, ne besojmë që EULEX duhet të marrë rolin e monitoruesit edhe në gjykata edhe në prokurori dhe jo rolin siç e ka tashmë”, vlerëson Zogaj.

Duke qenë të pakënaqur në vazhdimësi me punën e EULEX-it dhe mospunën konform kompetencave që i ka, kjo lëvizje, sipas drejtorit ekzekutiv Petrit Zogaj, shumë shpejt do të kërkojë ndryshimin e ligjit mbi Prokurorinë Speciale, ku mes të tjerash do të kërkohet që të paktën përgjegjësitë aktuale nga prokurorët e EULEX-it, tek prokurorët vendës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus