Kryesore » 2012»Prill»15 » Dyshime për keqpërdorime, ende pa u ndarë banesat
4:21 PM
Dyshime për keqpërdorime, ende pa u ndarë banesat
Thotë se jeton në kushte të rënda ekonomike, në shtëpi me qira, vetë i pesti, dhe se ka aplikuar për banesat, të cilat Komuna e Prishtinës do t’i ndajë për kategoritë e dala nga lufta, por ka bindjen se ndarja s’do të bëhet në mënyrë të drejtë.Ai thotë se jo vetëm që ka dëgjuar por ka edhe argumente se ende pa u bërë verifikimi i familjeve, shtëpi për shtëpi, është përpiluar një listë, në të cilën 11 përfituesit janë komandantë të brigadave që kanë pasuri, shtëpi e banesa.Këtë shqetësim e shpreh Elez Hajzeri, veteran i UÇK-së nga Brigada 153, Regjioni i Gollakut, i cili thotë se ndarja e këtyre banesave nuk po shkon "rrugës së drejtë” si duhet.
”Kam kuptuar se që në fillim kanë hyrë në listën e përfituesve të këtyre banesave komandantët e batalioneve. Unë kam dashur t’i informoj bashkëluftëtarët tanë, të cilët mund të reagojnë tash me kohë, pa e lënë për nesër kur të miratohet lista e kur të bëhet vonë”, tha Hajzeri.
Ai madje ka bindjen se në këtë listë gjenden edhe anëtarët e kryesisë së degës të veteranëve e të tjerëve në Prishtinë dhe u bën apel bashkëluftëtarëve që të mos lejojnë të ndodhë kjo, por t’i parandalojnë keqpërdorimet dhe të përfitojnë ata që kanë nevojë e jo të jepen dhurata, sepse, siç shprehet ai, dhuratat presin e nevoja nuk pret.
Për ato që ai thoshte dje shprehet se ka dëshmi. "Nëse nuk ndalojnë këtë tragjedi anëtarët e kryesisë së degës në Prishtinë, unë personalisht do të dal edhe para kamerave dhe do të njoftoj opinionin me emër e mbiemër për secilin anëtar të kryesisë dhe gjendjen e tyre”, thotë ai.
Atë që thotë Hajzeri e mohojnë kategorikisht zyrtarët komunalë që merren me rastin.
"E them me plotë ndërgjegje se nuk e di kush do të jetë fitues i këtyre banesave.
Ende është herët dhe ende s’e kemi përpiluar listën. Ka vetëm dy ditë që kemi filluar ta bëjmë verifikimin e familjeve", tha Fadil Leci, anëtar i komisionit nga komuna, për përzgjedhjen e përfituesve nga radhët e familjeve të dala nga lufta.
Edhe Ibrahim Mehmeti, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, thotë se nuk qëndron ajo që thotë Hajzeri.
"Nuk ka aty të vërtetë. Unë e njoh atë, kemi biseduar disa herë për këtë çështje. Ai ka shtëpi në fshatin Koliq nga edhe e ka prejardhjen. E për këto banesa kanë aplikuar ai dhe vëllai i tij, të cilët, edhe nëse konstatohet se i kanë kushtet e vështira, të dytë nuk mund të jenë përfitues, andaj mes tyre ka rivalitet për banesa”, tha ai.
Sipas tij, për të zgjidhur problemin njëri nga dy vëllezërit duhet të tërhiqet andaj ky është problemi dhe shqetësimi i tij, thotë Mehmeti.
Vetë Hajzeri e pranon se edhe vëllai i tij ka konkurruar, por siç thotë për vete është me gjendje më të vështirë ekonomike.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus