Kryesore » 2012 » Gusht » 6 » Drejtësia e zhytur në hajni
12:06 PM
Drejtësia e zhytur në hajni
Rasti i fundit i përfshirjes së disa gjyqtarëve në korrupsion, duke përvetësuar dhe duke shitur disa hektarë tokë shoqërore në vlerë rreth 60 milionë euro, është treguesi më i mirë se në çfarë niveli gjendet drejtësia kosovare. Derisa procesin gjyqësor kundër këtyre ish-gjykatësve, disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile e shohin si imazh të dëmtuar të drejtësisë dhe shoqërisë kosovare. Kur këtyre tetë gjykatësve të korruptuar i shtohet edhe shefi i Task-Forcës Kundër Korrupsionit, i cili dyshohet se është zhytur në korrupsion, tregon se në çfarë shkalle është dëmtuar imazhi i drejtësisë në Kosovë. Megjithatë shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, shpreson se me burgosjen e këtyre gjykatësve ka nisur të përmirësohet situata në këtë drejtim.

Edhe pse për dhjetëra informata "për të bëmat” e gjyqtarëve e prokurorëve në vite, AKK nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga hetuesit e prokuroria, drejtori Hasan Preteni shpreson që gjyqësori më në fund po e merr veten, e nuk po i lë imunë ndaj drejtësisë as ata punonjës të drejtësisë që për interesa personale, kanë kryer veprime të dënueshme me ligj.

"Vlerësoj se edhe ky pushtet nuk ka qenë imun ndaj veprimeve korruptive, shumë probleme e kanë përcjellë duke përfshirë problemet kuadrovike, financiare, statusore. Problem shtesë është se edhe pse të ngarkuar me mision të luftojnë korrupsionin, këta me një masë bëhen vetë pre e korrupsionit. Transaksionet e dyshimta pronësore kanë qenë dhe janë problem shumë i madh”, vlerëson Hasan Preteni.

Duke qenë pranë informatave që vijnë në agjenci përkitazi me dyshimet ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, Preteni vlerëson se ka një shkallë të uljes së kësaj dukurie në sistemin e drejtësisë nga viti në vit, por thekson se gjyqësori ka qenë çdo vit në mesin e katër grupeve të institucioneve që janë trajtuar më së shumti për nivelin e korrupsionit.

14 raste që kanë pasur të bëjnë me gjyqtarë e prokurorë, sipas Pretenit, janë proceduar nga agjencia vetëm në vitin 2007, në vitin 2008, ndërkaq 11 sosh, në 2009-ën, 18 kallëzime penale, në vitin 2010 dhe në vitin e kaluar, sipas Pretenit, janë proceduar vetëm nga dy kallëzime.

"Edhe zhvillimet e fundit i vlerësoj shumë pozitivisht, është mirë që janë trajtuar lëndët ku supozohet se veprimet janë kryer në vitin 2006 që do të thotë nuk ka përjashtim as heshtje para lëndëve të ‘hershme’”, thekson Preteni, duke iu referuar aktakuzës së fundit që është ngritur ndaj tetë ish-gjyqtarëve për keqpërdorimin e 60 milionë eurove si rezultat i shpronësimit të tokave shoqërore.

Ndryshe nga Preteni, Petrit Zogaj, drejtor i lëvizjes "Fol” vlerëson se sistemi i drejtësisë po dëmtohet me gjyqtarë e prokurorë të tillë, ndaj të cilëve në fund po ngrihet aktakuzë.

"Pa dyshim që ky imazh i keq vjen edhe si rezultat që institucionet e Kosovës, liderët politikë dhe prezenca ndërkombëtarë prej vitit 1999 kanë luajtur rol paternalizmi mbi këto institucione, duke mos iu dhënë mundësi të një pavarësimi dhe të një funksionimi normal”, thotë Zogaj.

Me nivelin aktual të angazhimeve për t’u pavarësuar dhe për të rritur kredibilitetin e tyre, sistemi i drejtësisë, sipas Zogajt, rrezikon që të marrë një zhvillim negativ edhe për shumë vite.

"Prandaj, duhet një punë e palodhshme dhe angazhim maksimal nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të dëshmuar kredibilitet, profesionalizëm dhe gatishmëri që të luftohen të gjithë ata që janë të përfshira në afera korruptive dhe ata që shkelin ligjet e vendit. Aktualisht, nuk shoh që lëvizjet e vogla pozitive që ka bërë gjyqësori do të rrisin besueshmërinë para publikut, ku do të tregonin vullnet të mirë për të shkuar përpara”, vlerëson ai.

Niveli i tillë i korrupsionit, pavarësisht se cilat institucione ka prekur pritet që të luftohet edhe më në 2013-ën. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka paralajmëruar krijimin e një departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion në kuadër të degës së Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus