Kryesore » 2011 » Tetor » 30 » “Dosja për arrestimin e Kadaresë ishte gati”
2:48 AM
“Dosja për arrestimin e Kadaresë ishte gati”
Një dokument tepër sekret, që na ra në dorë shumë vite pas rënies së komunizmit, e jep të qartë anën e zymtë të kësaj tabloje. Është një procesverbal i hetuesisë së Sigurimit të shtetit, që po e sjell në këtë libër dhe që po botohet për herë të parë.Helena Kadare
 Në librin me kujtime "Kohë e pamjaftueshme”, botuar nga "Onufri”, bashkëshortja e shkrimtarit boton për herë të parë një procesverbal të hetuesisë së Sigurimit të Shtetit i vitit 1982. Sipas Helenës, ky dokument vërteton se arrestimi për Ismail Kadarenë si agjent i Mehmet Shehut ishte gatiNë kohën që Tirana gëlonte nga mbledhjet për demaskimin e "kryekomplotistit më të madh të të gjitha kohërave, Mehmet Shehut”, përpara banesës sonë, në mbrëmje qëllonte që dëgjoheshin britma: Ismail Kadare, agjent i Mehmet Shehut! Ose agjent i borgjezisë! Dhe të mendoje që Is ishte ende deputet i parlamentit, një fakt që detraktorët e tij do ta kujtonin një kohë të gjatë më pas!
...Një dokument tepër sekret, që na ra në dorë shumë vite pas rënies së komunizmit, e jep të qartë anën e zymtë të kësaj tabloje. Është një procesverbal i hetuesisë së Sigurimit të shtetit, që po e sjell në këtë libër dhe që po botohet për herë të parë. Dokumenti është i vitit 1982. Është pikërisht koha, që, siç ka dalë më vonë në shtyp, po përgatiteshin me ngut dosje të tilla, në bazë të të cilave do të përcaktoheshin gjithë pjesëtarët e "Komplotit të madh”. Is ishte njëri nga ata. Ja teksti i plotë i dokumentit:

PROCESVERBAL I PYETJES SË TË PANDEHURIT
Tiranë, më 24.9.1982

Unë, Ferit Sula, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, rimora në pyetje të pandehurin Llambi Ziçishti.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të shpjegosh se cilët janë personat e tjerë, që tradhtari Mehmet Shehu, i ka marrë në shërbim të punës tuaj armiqësore.

Përgjigje: Mehmet Shehu që drejtonte grupin tonë armiqësor, kishte parashikuar, që përveç sektorëve të tjerë, që unë kam shpjeguar më parë, të godiste vijën e Partisë edhe në art e letërsi. Kështu, në një nga bisedat e shumta që kam bërë me Fiqret Shehun, kam mësuar se në këtë drejtim kishte përpunuar me detyra edhe Ismail Kadarenë. Konkretisht, për këtë person, unë do të shpjegoj ato gjëra që më ka treguar Fiqret Shehu.

Po bisedonim në një rast me Fiqret Shehun në shtëpinë e saj, për filmin shqiptar "Skëterrë ‘43”, ku skenarist ishte djali i saj, Bashkim Shehu. Fiqreti më tregoi se Ismail Kadareja ishte prej kohësh në pozicion armiqësor. Përpunimin e tij, më tha ajo, e ka bërë Todi Lubonja, me të cilin Ismaili kishte shoqëri të ngushtë dhe pasi Todi Lubonja me Fadil Paçramin e zbuluan nga Partia për veprimtarinë e tyre kundër saj, Ismail Kadareja ishte marrë në mbrojtje nga Mehmet Shehu duke e paraqitur Ismailin si viktimë të tyre. Ky është momenti, më ka thënë Fiqret Sheu, që u shfrytëzua për ta vënë Ismail Kadarenë në shërbim të punës tonë. Pastaj Fiqreti më ka treguar se Ismail Kadareja ishte porositur që të godiste vijën e Partisë në letërsi dhe në art, duke shkruar tregime e romane me dy kuptime, nga njëra anë të dukej se mbronte e zbatonte vijën e Partisë, ndërsa nga ana tjetër, pa dalë hapur, ta godiste atë.

Gjithashtu, Ismail Kadareja ishte ngarkuar që të punonte sa më shumë me shkrimtarët dhe artistët e rinj e gradualisht t’i përpunonte ata e duke bërë sa më shumë të tillë, të formonte një rrymë liberale disidentësh, që do të përdoreshin kur të vinte koha. Për ta pasur më afër Ismail Kadarenë, më ka thënë Fiqret Shehu, është porositur djali i tyre Bashkim Shehu, që të krijonte shoqëri të ngushtë me të dhe t’i justifikoheshin plotësisht, hyrjet e daljet e tij të shpeshta në shtëpinë tonë. Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vet e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten. Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjërat hapur dhe pa drojtje, atëherë dhe letërsia dhe arti te ne, do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit, Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri.

Këto janë disa nga momentet e veprimtarisë armiqësore që më kujtohen se ka kryer Ismail Kadareja, për të cilat, siç shpjegova më sipër, m’i tha Fiqret Shehu.

Procesverbalin e shkrojta vet dhe thëniet i vërtetoj me firmën time.

I pandehuri Hetuesi
LLAMBI ZIÇISHTI Ferit Sula
(firma) (firma)

Në pamje të parë ky dokument, që gjoja vërtetonte se Is bënte pjesë në grupin komplotist të ish-kryeministrit të shtetit, për të rrëzuar regjimin dukej qesharak. Por, nga ana tjetër, po të mendoje se me dokumente të tilla, të hartuara me të njëjtin stil e me të njëjtën mënyrë (tortura, premtime e kushedi çfarë lemerira të tjera), me dhjetëra njerëz të pafajshëm kishin shkuar në pushkatim, të zinte tmerri. E dinim qysh më parë, sidomos nga fjalët e Bashkim Shehut, në shtator të vitit 1981, mendimin që qarkullonte se Is ishte një agjent i Perëndimit, por ky dokument tregonte se dosja për arrestimin e tij ishte përgatitur ndërkaq dhe nuk pritej veçse një urdhër i fundit, për t’i hedhur prangat shkrimtarit.

Më kujtohet pamja e Llambi Ziçishtit, një mjek i njohur, i veshur gjithmonë me sqimë, me sjellje tepër të kulturuar, që vinte shpesh në Klubin e Shkrimtarëve. Ai kishte miqësi me shkrimtarin "borgjez” të viteve tridhjetë, Vedat Kokonën, me të cilin e lidhnin, siç dukej, kujtimet e Liceut francez të Korçës. Edhe sot e kam të vështirë ta përfytyroj se si, i detyruar nga torturat, kishte shkruar me dorë të vet, atë tmerr për Is. Kur e lexuam procesverbalin, për asnjë çast as Is, as unë, nuk e patëm as më të voglën ndjesi negative ndaj tij. Përkundrazi, provuam një keqardhje të thellë, për fatin e tij të zi. Llambi Ziçishti, mjeku i sjellshëm, adhurues i kulturës franceze, u pushkatua në një nga ditët e errëta të fundit të vitit 1982, me sa jam në dijeni, pa gjyq. Flitej se shkaku i dënimit të tij ishte çasti fatal, kur ishte thirrur, si mjek që ishte, në shtëpinë e ish-kryeministrit atë mëngjes, kur ky i fundit u gjend i vrarë në dhomën e tij të gjumit. Flitej në atë kohë se, sapo e kishte parë kufomën, kishte thënë: po kjo nuk është vetëvrasje! Ishin ato fjalë që kishin vulosur fatin e tij. Sa për hetuesin që e kishte marrë në pyetje viktimën, ai banon aktualisht në Gjermani. Për fat të keq, në Shqipëri ende nuk tregohet ndonjë vullnet për zbulimin e krimeve të diktaturës, as të mjeteve e mënyrave monstruoze që përdorte ajo.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus