Gjyqtarët e proçesit "Medicus” që po zhvillohet në Prishtinë mund të thërrasin për të dëshmuar raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarë evropianë, ka deklaruar se Marty do të pyetet në cilësinë e personit në dijeni të fakteve për trafikun e organeve gjatë viteve 98-99 në Kosovë. Aktualisht, në këtë proçes po gjykohen shtatë persona, të akuzuar për trafikim dhe transplant ilegal organesh në klinikën "Medicus”, në afërsi të Prishtinës. "Dick Marty pretendon se ka disa informacione të rëndësishme për këtë çështje, prandaj ne do t’i kërkojmë atij të na tregojë se çfarë di dhe cilat kanë qenë burimet e tij”, ka deklaruar gjyqtari polak Arkadiush Sedek. Në Kosovë, Dick Marty është i njohur për akuzat që ngriti ndaj kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së për drejtim të një organizate kriminale, aktive në rrëmbime personash me qëllim trafikimin e organeve të tyre. Marty pretendonte se këto transplante janë kryer në Shqipëri, në të ashtuquajturën "Shtëpia e verdhë”, akuzë të cilën Tirana zyrtare e ka hedhur poshtë, duke u shprehur e gatshme të priste prokurorët e EULEX për hetim.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus