Kryesore » 2012»Maj»11 » Dialogu Serbi:Kosovë, kushtëzohet me çështjen e të pagjeturve
1:12 PM
Dialogu Serbi:Kosovë, kushtëzohet me çështjen e të pagjeturve
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash i kanë bërë Qeverisë së Kosovës një kërkesë e cila pritet të përcaktojë të ardhmen e dialogut me Serbinë.Me shumicë votash deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rekomandimin, përmes së cilit, kërkohet nga Qeveria e Kosovës të kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme me Serbinë me zbardhjen e plotë të fatit të personave të zhdukur që nga lufta e fundit.Kjo gjë erdhi në fund të interpelancës ku ishte e ftuar të raportojë zëvëndëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, se çfarë është bërë deri më tani për fatin e të pagjeturve në dialogun Kosovë–Serbi.
Tahiri ka thënë se delegacioni që ajo udhëheq ka paraqitur platformën e Qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi dhe se është kërkuar hapja e arkivave të ish ushtrisë jugosllave, ndërsa për këtë tha se është i nevojshëm presioni i BE-së.
"BE të marrë rol udhëheqës dhe garantues në lidhje të çështjes së personave të pagjetur. Duke fuqizuar procesin ekzistues përmes instrumenteve obligative që detyrojnë Serbinë për të bashkëpunuar dhe jo për të sabotuar zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi Edita Tahiri, zëvëndëskryeministre e Kosovës.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës ka arritur që çështjen e të pagjeturve ta ngritë në agjendën evropiane.
"Vlerësojmë se janë arritur disa rezultate konkrete. Si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi pasur për qëllim që duke futur në agjendën e dialogut teknik këtë çështje, të bëjmë që kjo (çështje) të ngrihet në nivel të trajtimit të Bashkimit Evropian”.
"Si dhe Bashkimi Evropian të pranojë të marrë rol udhëheqës dhe garantues për zgjidhjen e plotë të këtij problemi. Këtë e kemi arritur plotësisht, sepse kjo çështje është bërë pjesë e agjendës së BE-së”, ka sqaruar Tahiri.
Deputetët e pozitës thanë se shteti serb po mban peng informacionet për fatin e rreth 1 mijë e 800 personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa ata të opozitës kritikuan institucionet e Kosovës se nuk kanë punuar që të zgjidhin këtë problem.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar të gjitha qeveritë e deritashme për moskërkim të personave të pagjetur. Kurti ka theksuar se të pagjeturit, para se të jenë të pagjetur, mbi të gjitha, janë të pakërkuar.
"Prej kur Qeveria Thaçi hyri në negociata me Beogradin në mars të vitit të kaluar, të pagjeturit kurrë nuk janë shtruar si çështje për t’u zgjidhur, por vetëm për t’ua dhënë negociatave një farë legjitimiteti dhe domosdoshmërie”.
"Të pagjeturit kanë shërbyer vetëm si retorikë për të justifikuar kinse njëfarë angazhimi për një çështje të ndjeshme siç është kjo e të pagjeturve. Po krejt çka po shohim deri sot janë 8 marrëveshje me Serbinë ku qeveria ka lëshuar pe për shtetasin, sovranitetin, kufijtë, përfaqësimin e jashtëm me fusnotë, regjistrat civil, e librat kadastralë, targa të automjeteve, dokumente të udhëtimit etj”, ka thënë Kurti.
Sipas deklaratave zyrtare të institucioneve ende nuk dihet fati i 1781 personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Asociacioni i shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, ka kritikuar në vazhdimësi institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare, duke thënë se në këtë drejtim mungon një angazhim i duhur dhe serioz.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus