Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në interes të Kosovës. Dialogun duhet ta përkrahin edhe deputetët e opozitës pasi alternativa e këtij procesi është lufta. Strukturat ilegale serbe në Veri duhet të zhbëhen si rrjedhojë e bisedimeve. Por pushteti në Veri duhet të shtrihet edhe me agresivitet. Ish-Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni flet për Express. Express: Për dallim prej LDK’së, ju vazhdimisht keni qenë pro dialogut me Serbinë. Pse partia juaj e ndryshoi qëndrimin, u pajtua për të biseduar me Serbinë?
S. Hyseni: Nuk do të pajtohesha që LDK’ja e ka ndërruar qëndrimin. Më parë do të thosha se LDK’ja në një mbledhje të Kryesisë e ka trajtuar çështjen e dialogut në krejt dimensionet e tij. Ka qenë ajo mbledhje e Kryesisë, e cila ka ndërtuar përfundimisht një qëndrim të qartë të LDK’së e që në esencë do të thotë që dialogu me Serbinë është i nevojshëm; normalizimi i marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, është në interes të Kosovës dhe rrjedhimisht çdo logjikë të thotë se ai dialog duhet të ndodhë.
Express: Por, zyrtarë të LDK’së, përfshirë edhe Isa Mustafën, kanë thënë se s’kanë çka të flasin me Serbinë pasi bisedimet kanë përfunduar në Vjenë?
S. Hyseni: Sërish po e them se pozicioni i LDK’së ka qenë i sqaruar dhe unë në çdo paraqitje timen politike e kam sqaruar këtë pozicion.
Express: Por jo edhe LDK’ja...
S. Hyseni: Me Serbinë asnjëherë nuk guxon dhe s’duhet të bisedohet statusi i Kosovës. Pavarësia është çështje e mbyllur dhe LDK’ja e ka mbajtur këtë qëndrim se çështja e rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës është zgjidhur njëherë e mirë në Vjenë në negociatat, që e kanë prodhuar Planin e Ahtisaarit. Pra, ka një plan gjithëpërfshirës, ka një Kushtetutë, prandaj LDK’ja kërkon që Kushtetuta të respektohet. Dialogu me Serbinë duhet të ketë për synim normalizimin e marrëdhënieve. Duhet ta kemi të qartë, ky normalizim nuk do të vijë brenda ditës. Do të marrë vite të tëra, mirëpo duhet të fillojë diku. Do të jetë vështirë, por gjithsesi vështirësia e realizimit të një projekti, vështirësia e arritjes së një objektivi, një caku të caktuar nuk duhet t’ju pengojë që t’ia filloni punës. Kosova ka bërë mirë që bën dialog me Republikën e Serbisë për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve të pavarura dhe sovrane.
Express: A do të ishte më e dobishme për LDK’në që të mbante qëndrim pro dialogut që nga fillimi?
S. Hyseni: Unë jam anëtar i Kryesisë së LDK’së dhe ky është qëndrim i LDK’së. Tashti, LDK e ka shtruar për trajtim dhe e ka diskutuar gjithanshëm, bile,bile mund të them se ka qenë një diskutim jashtëzakonisht i pjekur në Kryesi ditën kur është marrë qëndrimi i qartë nëse duhet të bëhet dialog me Serbinë apo jo. Prandaj, ky është qëndrim i LDK’së. Po e ritheksoj në një parti që ka një demokraci të brendshme të theksuar mund të ndodhë shpesh të ketë zëra individualë. Në fund të fundit, ka pikëpamje individuale që jepen në opinion dhe kjo ka ndodhur në LDK. Kjo s’ka problem. Por, si qëndrim partiak, i cili është marrë në Kryesinë e LDK’së, e cila ka dalë me komunikatë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus