Kryesore » 2011 » Korrik » 18 » Dëshmi se ka shumë dokumente për shqipen dhe shqiptarët të pazbuluara
12:50 PM
Dëshmi se ka shumë dokumente për shqipen dhe shqiptarët të pazbuluara
Dr. Musa Ahmeti
Zbulohet një vepër e re e Pal Engjëllit , nipit të Kryeipeshkvit të Durrësit (1)Kjo vepër është dëshmia më e mirë se intelektualët shqiptarë, kudo që kanë jetuar e vepruar, kanë lënë gjurmët e tyre në formë të shkruar, duke treguar përgatitje të lartë profesionale, pjekuri filozofiko-teologjike dhe mendjemprehtësi të lakmueshme. Autori, Pal Engjëlli junior, komunikon përmes fjalës së shkruar me bashkëkohanikët, duke na lënë dëshmi të forta për nivelin e lartë intelektual që kishte, njëkohësisht duke nga bërë që të ndjehemi krenarë kur shfletojmë libra të tillë antikuarë, të cilët në vetvete mbartin barrën e fatit të autorit, familjes së tij dhe vetë shqiptarëve për shekuj të tërë.Pasurimi bibliografik me tituj të rinj dhe autorë që nuk kanë vendin e merituar në albanologji me zbulime të tilla si ky i ksomblës së Pal Engjëllit junior, është argument i fortë se ende shumë gjëra nga krijimtaria e mirëfilltë, filozofike, historike, astronomike, shkencore dhe teologjike si dhe fushave të tjera është e pazbuluar dhe e panjohur. Vetëm nga ky autor ne sjellim edhe pesë tituj të tjerë të veprave të tij, katër nga të cilat për herë të parë renditen në bibliografinë albanologjike të autorëve shqiptarë që krijuan dhe shkruan veprën e tyre në latinisht dhe italisht.Si kontribut modest, ne do t’i dhurojmë Bibliotekës Kombëtare kopjet e njërës prej ksomblave të veprës së Pal Engjëllit, që studiuesit, historianët dhe albanologët shqiptarë të kenë mundësinë t’i studiojnë ato në Tiranë, duke kursyer kohën dhe financat e tyre. Jemi të bindur se sikur kjo vepër ka edhe shumë të tjera, jo vetëm të Engjëllorëve, por edhe të autorëve dhe krijuesve të tjerë shqiptarë të cilët nuk i njohim fare ose i njohim përciptazi.Pasurimi i fondeve të albanologjisë me tituj të rinj të librit antikuar, ku autorë janë shqiptarët, përbën një risi, përkatësisht zbulimet e tilla janë me një rëndësi të dorës së parë për albanologët dhe historianët. Zbulime të tilla janë të pakta dhe shumë të rralla për shumë arsye. Më kryesorja, kërkohet një punë këmbëngulëse, e lodhshme dhe shumëvjeçare, por edhe një përgatitje e lartë profesionale, duke shtuar këtu edhe "fatin” si një faktor të rëndësishëm. Kërkime dhe hulumtime të mirëfillta, sistematike, të planifikuara dhe të organizuara nga institucione shqiptare deri më tani për mesjetën shqiptare nuk ka pasur. Kryesisht, për këtë periudhë "të errët të historisë dhe albanologjisë” kanë shkruar autorë të huaj, e ndër ta, janë të paktë ata që kishin qëllim kryesor botimin dhe publikim e studimeve të mirëfillta. Të huajt, më shumë rastësisht, pra pa ndonjë qëllim të caktuar, botuan dokumente, dorëshkrime dhe informacione me vlerë, të cilat edhe sot e kësaj dite, edhe pse jo të kompletuara, janë të patejkaluara në albanologji dhe historinë e popullit shqiptar.

Nëse më parë kishte arsye dhe alibi për studiuesit, hulumtuesit, historianët dhe albanologët shqiptarë, që nuk bënin studime dhe botime serioze me karakter të mirëfilltë shkencor, sot kjo alibi nuk ekziston më. Në fakt, tani vërehet hapur mospërgatitja profesionale dhe mungesa e specialistëve, të cilët me rezultatet e tyre të mirëorganizuara sistematikisht, të mbështetura nga shteti shqiptar dhe institucionet përkatëse, do të ishin të barabartë me kolegët e tyre perëndimorë.

Studiuesit e huaj, në botimet e tyre, të shumtën e rasteve, duke mos pasur qëllim parësor studimet albanologjike, botimet e tyre i kanë të mangëta, të pasakta, kundërthënëse dhe mjaft të gabuara. Megjithatë, ne shqiptarët, duke mos pasur mundësi tjetër, jemi shërbyer me këto botime. Është koha e fundit që institucionet përkatëse shqiptare, në mënyrë të planifikuar dhe sistematike të bëjnë kërkime dhe hulumtime për të gjitha fushat e albanologjisë dhe historisë, sepse për këtë gjë kemi shumë nevojë dhe jemi të bindur se rezultatet nuk do të mungojnë.

Gjatë kërkimeve tona nëpër arkiva e biblioteka kemi ndeshur në shumë dokumente, dorëshkrime, inkunabula, libra antikuarë dhe të tjerë, të cilët janë të panjohur ose fare pak të njohur. Në këtë kuadër, bëjmë publike librin antikuarë të Pal Engjëllit (nipit të kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit senior), i cili është botuar në Venedik, më 7 maj 1524, me titull: ""Epistola Pauli Angeli: ad Sanctissimum in Christo patrem et Dominum Nostrum Dominum [D.N.D] Clementem diuina Prouidentia Papam septimum...”

Kjo ksombël, edhe pse e botuar para 486 vjetësh, është e panjohur për albanologët dhe studiuesit shqiptarë, edhe pse ajo ruhet të paktën në nëntë kopje të botimit të parë nga viti 1524, të cilat i kemi konsultuar ne, dhe në një kopje të ribotimit të dytë nga viti 1525. Duke dashur që kolegëve studiues, historianë dhe albanologë, por edhe lexuesit të gjerë, t’ua bëjmë sa më të afërt këtë ksombël të rrallë, për mendimin tonë me vlera të veçanta historike, filozofike dhe teologjike, ne botojmë disa faksimile të saj, përshkrimin fizik sipas kritereve bashkëkohore shkencore dhe analizojmë përmbajtjen e saj në mënyrë përmbledhëse.

Ne nuk dëshirojmë për momentin të futemi në debate me autorë të cilët me shkrimet e tyre paragjykojnë familjen e Engjëllorëve, për shkak se pothuajse të gjithë ata përshkruajnë njëri-tjetrin ose kopjojnë ndonjë studiues të huaj që nuk i ka dashur të mirën albanologjisë dhe historisë shqiptare, duke mos pasur në dorë dokumentet e shumta, dorëshkrimet dhe botimet po ashtu të shumta, për të cilat ne, në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë të marrim guximin e të pohojmë origjinalitetin dhe saktësinë e tyre pa bërë studime krahasuese dhe pa i ballafaquar ato, të paktën me disa burime të tjera të sigurta. Në të vërtetë, duke botuar dokumente e dorëshkrime, duke sjellë njoftime për tituj librash antikuarë dhe të dhëna të reja biografike dhe bibliografike, dëshirojmë që vlerat e vërteta të dalin në dritë ndërsa falsifikatet (nëse ka të tilla, të cilat duhet të dëshmohen me argumente e jo me pohime boshe dhe të paqëndrueshme) të hidhen në pluhurin e harresës, atje ku e kanë edhe vendin.
Përshkrimi fizik i ksomblës nga viti 1524
Të gjitha ksomblat e librit antikuar të Pal Engjëllit të botuara në vitin 1524, më 7 maj, janë të lidhur me kopertina të forta pergameni të bardhë. Në asnjërën prej 9 (nëntë) ksomblave që njohim ne, në kopertinë nuk ka shënime, dekorime apo ndonjë vizatim. Menjëherë pas kopertinës janë 2 fletë boshe dhe pastaj vjen frontespici, i cili është i shënuar në gjysmë faqeje. Nuk ka asnjë ndryshim, cilido qoftë ai, në asnjërën prej ksomblave që njohim ne, nga botimi i parë i vitit 1524. Të gjitha janë identike dhe kanë dimensione 21 x 14,5cm.
Për sa i përket botimit të dytë të librit antikuar të Pal Engjëllit, nga viti 1525, ne njohim vetëm një ksombël deri me tani, ndryshimi i vetëm është te dimensionet. Dimensionet e ksomblës janë më të vogla, përkatësisht 15 x 10cm. Po ashtu edhe madhësia e grafemave është më e vogël, ndërsa është ruajtur e njëjta renditje si edhe te botimi i parë, i rreshtave në faqe, i paginimit, titullit dhe gjithçka tjetër. Faqja e frontespicit është e papaginuar. Në pjesën sipër tekstit është stema e Papës Klementi i shtatë, e cila është e vendosur në kornizë katrore. Ksombla nuk ka një titull të shkurtër apo të veçantë, por fillon me një inicial, grafemën "E”, e cila është e shtrirë vertikalisht në tre reshta. Teksti i frontespicit përbëhet nga 14 rreshta. (vijon)
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus