Nuk janë vetëm politikanët që kanë krijuar pasuri marramendëse viteve të fundit. Hiç më keq në këtë drejtim nuk qëndrojnë edhe pedagogët e Universitetit të Prishtinës, ku një pjesë kanë krijuar pasuri marramendëse duke tejkaluar një milion euro, edhe pse deri para pak kohe paga e tyre mujore ka qenë tejet e vogël.Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Naim Haliti, ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa në vlerë prej 235 mijë euro, truall 629 mijë euro, mal 25 mijë euro, dy vetura 25 mijë euro, si dhe 77 mijë euro para të gatshme në llogarinë e tij private.
Hiç më keq në këtë drejtim nuk qëndron edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, i cili ka deklaruar se ka në pronësi 110 mijë euro tokë. Ai ka deklaruar se ka në pronësi edhe një sipërfaqe tjetër të tokës për të cilën nuk ka dhënë vlerësim. Rektori Rugova ka deklaruar se në llogarinë e tij private në bankë ka hiç më pak se 100 mijë euro.
I pasur është treguar edhe Ajvaz Berisha, dekan në Fakultetin e Edukatës Fizike. Në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi me vlere prej 250 mijë euro, tokë bujqësore 80 mijë euro, një veture BMW X5 në vlerë prej 30 mijë euro, para të gatshme 600 euro.
Edhe Bajram Uka, dekan në Fakultetin Juridik, ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa në vlerë prej 120 mijë euro, tre vetura në vlere prej 31 mijë euro, si dhe tetë mijë euro para të gatshme në bankë. Po ashtu dekani Uka ka deklaruar se përpos pagesës vjetore prej rreth 26 mijë euro sa merr në universitet, ai ka deklaruar se punon edhe në katër universitet private.
Edhe prorektori i Universitetit të Prishtinës, Bajram Berisha, është treguar bukur i pasur në raport më të hyrat që merr nga paga e tij në rektorat. Berisha në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka në pronësi tokë në vlerë prej 340 mijë euro, lokal afarist 75 mijë euro, banesë 65 mijë euro, truall 35 mijë euro, si dhe një veturë Mercedes në vlerë prej 6500 euro.
Prorektori Berisha po ashtu ka deklaruar se nëpër llogaritë e tij brenda dhe jashtë vendit ka të depozituara më shumë se 100 mijë euro.
Edhe prorektori tjetër Enver Kutllovci nuk është shumë mbrapa kolegut të tij Berisha.
Ai në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi 60 mijë euro, truall 15 mijë euro, ordinancë 10 mijë euro, si dhe 63 mijë euro para të gatshme në llogari bankare.
I pasur është treguar edhe prorektori tjetër i Universitetit të Prishtinës, Naser Mrasori. Ai ka deklaruar se ka në pronësi një banesë në vlerë prej 100 mijë euro, dy shtëpi prej 65 mijë eurosh, një veturë BMW në vlerë prej 17 mijë euro, si dhe më shumë se 40 mijë euro para të gatshme në llogari bankare.
Po ashtu, pasuri dhe para të gatshme kanë edhe rektorët tjerë të Universitetit të Prishtinës, pavarësisht se deri vonë paga e tyre ka qenë tejet e vogël.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus