Kryesore » 2012»Tetor»17 » Debate të ashpra në Kuvend rreth shpenzimeve të Qeverisë
2:42 PM
Debate të ashpra në Kuvend rreth shpenzimeve të Qeverisë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës ka disa orë që po debatojnë me tone të ashpra për shpenzimet e Qeverisë, të iniciuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Alma Lama. Ndërsa parashtruesja e çështjes për debat, Alma Lama, rikujtoi shuma të paarsyeshme që shpenzohen për ‘pasurimin e qeveritarëve’ ose të ‘afërmit e tyre’, ose për shpërblimin e kompanive të afërta me ta përmes tenderësh, të cilat i kanë ndihmuar PDK-së gjatë fushatës elektorale, deputetët pjesë e koalicionit qeverisës u përgjigjën me kundërakuza. Lama ka përmendur edhe raportet e UNDP-së për varfërinë dhe papunësinë në Kosovë, të cilat paraqesin shifra alarmuese. Ajo në fjalën e saj akuzoi partinë në pushtet, PDK-në për përdorimin e tenderëve publikë për financimin e fushatës politike. Sipas saj, në këtë mënyrë, PDK-ja po blen pushtetin me tenderët publikë.
Por deputeti i PDK-së, Ramiz Lladrovci, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka mohuar një gjë të tillë, duke i thënë deputetes Lama se kompanitë të cilat kanë marrë tender nga Qeveria e Kosovës janë sponsorë të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas tij, Qeveria Thaçi nuk bënë këto lloj dallime, ashtu siç i paraqet Lëvizja Vetëvendosje.
Ramiz Lladrovci tha se parashtruesja e debatit, para se ta merrte këtë nismë, do duhej të pyeste se sa deputetë të saj marrin punë direkt ose indirekt nga buxheti publik.
Debati ende po vazhdon po ashtu me debate të ashpra mes deputetëve të spektrit të koalicionit qeverisës me ata të opozitës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus